Këtë 8 mars, e ka nisur duke ndezur një qiri. Një qiri në kujtim të një njeriu të veçantë, një supergruaje, siç deputetja Mimi Kodheli e ka quajtur Narina Sulçeben, mjeke dhe specialiste në fushën e ORL-së. Mjeke Narina u nda nga jeta në vigjilje të 8 Marsit, ditës së grave.
Kodheli e ka dhënë këtë lajm të hidhur në rrjetin social Facebook, duke ndarë dhimbjen për humbjen e doktoreshës, mike të sajën.
“U largove, e dashur Narina, në vigjilien e 8 marsit dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse ti ishe supergruaja, supernëna, supermotra, supershoqja. Lamtumirë Dok! Lamtumirë mikja ime!”
Mjekja humbi betejën nga një sëmudje e rëndë.
Narina Sulçebe është mbesa e një ish patrioti, deputeti e më pas një të persekutuari, të ndjerit Hafiz Xhemal Mullai. Ish profesor ne universitetin e Stambollit, patriot, idealist, që sakrifikoi gjithë jetën e vet për hir të atdheut, të cilit i ka shërbyer gjatë gjithë jetës.