Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka përshëndetur Kosovën, në fjalimin e mbajtur sot në Kongresin e 6-të të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) që po mbahet në provincën Bolu.
“Përshëndes vëllezërit e mi në Bosnje dhe Herzegovinë, Kosovë, Shqipëri. Unë u dërgoj urimet më të përzemërta edhe vëllezërve dhe motrave të mia në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Trakë Perëndimore, Krime, Bullgari, Rumani, në emër të kombit tim”, deklaroi Erdogan, raporton TRT Haber, shkruan Insajderi.
“Ne duam të komunikojmë me vëllezërit tanë në Sarajevë, Shkup, Gumulcine, Kardzhali, Prishtinë dhe Mostar. Gjithmonë them se kufijtë tanë fizikë janë më të vogël se sa kufijtë e botës tonë. Gjysma e zemrës sonë është në Stambolli, Dijarbakir, Trabzon, Antalia dhe Izmir ndërsa është gjysma tjetër është në Alepo, Kirkuk, Jeruzalem dhe Buhara”, deklaroi ai.
Erdogan deklaroi se “ne luftojmë për të shtypurit në mbarë botën aq sa punojmë për vendin tonë dhe kombin tonë.”
Presidenti turk, po ashtu adresoi kritika të ashpra në llogari të NATO-s, nga shkaku i pasivitetit të saj në raport me kërcënimet ndaj Turqisë në aspektin e sigurisë.
“Kur e ka ndërmend NATO të vihet në anën e Turqisë, lidhur me të gjitha zhvillimet në Siri dhe rajon?”, tha ai.
Vetëm një ditë më parë Erdogan shënjestroi keq edhe NATO-n, teksa i kërkoi llogari se nuk po vepron si duhet, pasi nuk është aty ku vendet kanë nevojë.
“Na thirrët në Afganistan, erdhëm, na thirrët në Ballkan, erdhëm, NATO ku je tani?- tha Erdogan./Panorama