Greqia nuk është më vendi i qetë dhe në progres. Këtë e dëshmojnë edhe ndeshjet e futbollit, ku njësoj si në Shqipëri presidentët e klubeve futen me armë në fushën e lojës. Kështu, qyteti i Selanikut në Greqi bëhet sërish protagonist, teksa për të dytën herë brenda pak ditësh nuk arrin të përfundojë një ndeshje futbolli. Nën një atmosferë fantastike të krijuar nga tifozët e PAOK-ut, para dhe gjatë ndeshjes me AEK-un, rivalin direkt për titull, takimi u ndërpre pikërisht në minutën e 90’, kur kishte mbetur për t’u diskutuar vetëm shtesa. Ka mjaftuar një gol i vendasve në minutën e 90’, që fillimisht u anulua dhe më pas u akordua nga arbitri, që situata të agravohej dhe u bë e pamundur që të vijonte takimi. Për këtë arsye të dy skuadrat u tërhoqën në dhomat e zhveshjes, teksa pavarësisht tentativave për të rifilluar, skuadra e AEK-ut refuzoi të dalë në fushë.
Presidenti i PAOK zbret me pistoletë në fushë, prishet imazhi i kryendeshjes në kampionatin grek (Video)
Raportohet se presidenti i PAOK-ut ka qarkulluar me pistoletë në brez, në dhomat e zhveshjes, çka ka tronditur futbollistët e AEK-ut, që kanë qëndruar të mbyllur për disa orë në dhomat e zhveshjes. Ministri grek i sporteve ka dalë në një konferencë për shtyp shumë i alarmuar dhe ka thënë se vendi ka bërë shumë hapa mbrapa me këtë situatë dhe se do të komunikojë me UEFA-n, për të ndërprerë kampionatin. PAOK-u dhe AEK-u rivalizojnë për titullin kampion, teksa kryeqytetasit kanë 55 pikë, një më tepër se skuadra nga Selaniku, por këta të fundit kanë luajtur një takim më pak. PAOK-u ka për të rikuperuar pikërisht takimin me Olympiacosin, që u ndërpre pa filluar ende, për shkak të goditjes me sende të forta, të trajnerit të skuadrës nga Pireu. Shumë media greke shkruajnë se PAOK po synon ta fitojë kampionatin me dhunë. /Pamfleti.com