Pas intervistës në emisionin “Porta a Porta”, me gazetarin italian Bruno Vespa, kreu i Qeverisë, Edi Rama ka folur ditën e sotme edhe për televizionin italian “TG5”, gjatë edicionit informativ, në një kronikë të përgatitur për situatën ku ndodhet vendi ynë.
“Kohët kanë ndryshuar në mënyrë radikale, tani ne jemi në periudhë të një rritjeje të rëndësishme. Kemi progres të rëndësishëm në turizëm, kemi pasur miliona vizitorë nga Italia, e unë sot ndaj jam këtu për t’u dëshmuar se ato pamjet e foto negative që keni parë së fundmi… është një protestë që zhvillohet në një perimetër prej një kilometri. Jashtë këtij perimetri, jeta vazhdon.”, u shpreh Rama ndër të tjera.
Pjesë nga intervista:
“Keni thënë se kjo nuk është një protestë e popullit por e organizuar nga politika, përse jeni shprehur kështu?
Është një revoltë e establishmentit të vjetër që është përzënë para 5 vitesh me 1 milion vota, dhe që la pas një shtet me probleme të mëdha, që sot atakohemi ne. Patjetër që kemi shumë sfida, Shqipëria nuk është vend pa probleme, por jemi në rrugën e duhur.
Opozita kërkon qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, ndërkohë ju nuk tërhiqeni… a do të jetë e mundur të gjeni një kompromis?
Kemi një mandat, kemi detyrë ndaj qytetarëve, nuk mund të themi tani anulojmë lojën, dhe ta nisim nga zero.