Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se janë skanuar 54 dosje të kontratave që janë dhënë për hidrocentrale, 8 prej të cilave kanë rezultuar me probleme.
Sipas MIE, ndër problematikat kryesore të konstatuara nga kontrolli i deritanishëm janë; mosrespektimi i afateve kohore proceduriale dhe mosrespektimi i kushteve dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara (qofshin të aspektit ndërtimor, mjedisor, financiar etj).
Hapi i dytë është ndërprerja e kontratave, që sipas ministrisë “është një proces kompleks”, ndërsa po procedohet në mënyrë të kujdesshme që të mos ketë risqe dhe pasoja financiare për buxhetin e shtetit.
“Aktualisht kanë kaluar procesin e skanimit 54 dosje, 8 prej të cilave kanë rezultuar me probleme të mëdha dhe shkelje të kushteve kontraktuale, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës.
Ndërprerja e kontratave është një proces kompleks dhe nga ana e Ministrisë po procedohet në mënyrë të kujdesshme që të mos ketë risqe dhe pasoja financiare për buxhetin e shtetit.
Problematikat e konstatuara, në mënyrë të përsëritur gjatë këtij procesi skanimi, do të analizohen dhe do të shërbejnë si referencë për ndryshimet ligjore që do të propozohen në këtë sektor” – thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Ky vendim i MIE është kundërshtuar nga subjektet që operojnë në këtë treg, madje nuk kanë munguar zërat se procesi, përveçse i paligjshëm, është iniciuar për “gjobëvënie”.