Nga Bledi Lumani
Kur eurodeputetët e Parlamentit Europian kritikuan ashpër Lulzim Bashën një javë më parë, për djegien e mandateve të opozitës dhe daljen jashtë sistemit politik, ai iu përgjigj atyre, të mos i kërkonin atë që s’do e pranonin për popujt e tyre.
“Mos më kërkoni asgjë që nuk do ta pranonit për popujt tuaj.
A do të pranonit për vendin tuaj këtë që po i kërkoni shqiptarëve të pranojnë për veten e tyre?!”, tha Basha.
Ndoshta Lulzim Basha nuk e ka menduar mirë përgjigjien që ka dhënë.
Sepse nëse ata do të kërkonin vetëm ato që janë të pranushme në vendet e tyre, sot ai nuk do të ishte në krye të opozitës, por ndoshta prapa hekurave.
Në vendet e tyre, askush, aq më tepër një politikan i lartë, nuk ia hedh me procedurë proceseve gjyqësore, kur është kapur duke vjedhur qindra milionë euro.
Në vendet e tyre, askush nuk iu shpëton përgjegjësive, nëse i vriten katër protestues, siç i ndodhi Lulzim Bashës.
Në vendet e tyre, hetohet dhe gjykohet çdo politikan, që lobon me para të padeklaruara dhe që nuk merren vesh nga vijnë, siç bën Lulzim Basha në Shqipëri.
Për të mos folur pastaj për Berishën, Kryemadhin, Mediun, Ndokën etj, që bashkë me Lulzim Bashën, qenkan kujtuar më në fund se ne nuk jemi si popujt e këtyre eurodeputetëve dhe pikërisht këta, kanë vendosur që ka ardhur koha që edhe ne, të jemi si ata.
Por, t’iu kërkosh atyre që të kërkojnë për Shqipërinë vetëm atë që është e pranueshme në vendet e tyre, do të thotë që të gjithë këta të ishin në burg.
Bashkë me Edi Ramën dhe shumicën e politikanëve në Shqipëri.
Fati i tyre është që deri më tani nuk e kanë kërkuar këtë gjë!
Të paktën deri më tani.
Me ngritjen e strukturave të reja të drejtësisë, kushedi, mbase do të shohim edhe ne ndonjë shembull perëndimor në Shqipëri.
Vetëm nuk e di nëse edhe atëherë, Lulzim Basha do të kërkonte të njëjtën gjë, që në Shqipëri të mos pranohet asnjë gjë që nuk do të ishte e pranueshme për vendet perëndimore.
Sepse deri më tani, e vetmja gjë që kanë bërë ata, është ajo që thotë Lulzim Basha, që kanë pranuar atë që nuk do të kishin pranuar për vendet e tyre.
Duke nisur nga vetë ai, Lulzim Basha!