Pas vendimit për ‘djegien’ e mandateve të deputetëve ditën e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi zëvendësimet e kandidatëve vijues.
Pritet që katër kandidatët të betohen në Kuvend ditën e nesërme, ndërkohë që do shoqërohet me protesta nga ana e opozitës së bashkuar që do mblidhen para Parlamentit në orën 09:30, pak para nisjes së seancës plenare.
Katër kandidatë që pasonin listat zgjedhore të 2017-ës dorëzuan formularët e dekriminalizimit dhe sot KQZ miratoi zëvendësimet dhe dhënien e mandateve.
Kush janë katër deputetët e rinj:
Aurora Mara
Aurora Mara zëvendësoi Përparim Spahiun në qarkun e Dibrës. Më herët, ka mbajtur detyrën e përgjegjëses së sektorit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Edmond Rrushi
I radhës në listën e Tiranës, Rrushi nuk është një emër i panjohur. Ndonëse kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, nën siglën e LSI, ai më herët ka mbajtur edhe postin e drejtorit të QSUT-së.
Ylli Shehu
Shehu u zgjidh deputet për herë të parë në 2013-ën, nën siglën e Partisë Republikane, ndërsa pas zgjedhjeve të vendore të vitit 2015, ai kaloi me LSI-në.
Ndërkohë në zgjedhjet e 2017-ës, ai u rendit në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës krah LSI-së.
Enver Roshi
Është deputeti më i ri për qarkun e Elbasanit. Roshi ka mbajtur më parë detyrën e drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, si dhe të dekanit në Fakultetin e Mjekësisë.
Po ashtu, edhe kandidati Ralf Gjoni nuk e ka dorëzuar ende formularin e dekriminalizimit, por njëkohësisht nuk ka paraqitur as dorëheqjen.