Artur Roshi, kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, parti Aleate e PD-së, ka shprehur rezerva në drejtim të vendimit të Lulzim Bashës, për të djegur mandatet e deputetëve.
Në një intervistë për CNA.al, Roshi tha se edhe pse partia që ai drejton është pjesë e koalicionit Opozitar, nuk është pyetur nga Basha qoftë edhe formalisht në lidhje me këtë vendim.
“Si instikti i një Opozitari genetik, por edhe i formësuar kundës filozofisë së majtë të Marksit e Rusoit, them mjaft që është kundër mazhorancës së majtë, por po të gjykojmë na duhet të arsyetojmë ftohtë.
Balli Kombëtar Demokrat është pjesë e koalicionit Opozitar dhe qoftë dhe formalisht nuk kemi dhënë mendimin tonë, sepse këtu praktika politike si në mazhorancë, përdreq edhe në Opozitë ka trajektoren e mentalitetit të së shkuarës, atë të fuqisë së pushtetit që shoqërohet nga mospërfillja dhe arroganca dhe jo të lirisë së mendimit.”-tha Artur Roshi.
Më tej, ai paralajmëroi se kjo duket si një çadër e dytë e Lulzim Bashës, dhe duhet parë sesi do përfundojë.
“Nga ana formale është një akt politik masovik-revolucionar që udhëhqësit barazohen në vuajtje me popullin,ndërsa nga ana përmbajtësore është një “Çadër “ tjetër nisur nga qëllime pozitive si “Vota e Lirë”,por që duhet pritur si mbaron.
Në qoftë se nuk mbaron mirë do ta dëmtojë Opozitën deri diku sa “Çadra”.
Kjo vendim-marrje nuk ka përfillur parimet e funksionimit të demokracive perëndimore, por të faktorizimit nëpërmjet forcës që është karakteristik i mendimit të së majtave në botë.”-u shpreh Artur Roshi.
Gjithashtu ai u shpreh se këtë situatë politike do e zgjidhin ndërkombëtarët si arbitra dhe jo opozita.
“Përfundimisht këtë situatë do e zgjidhin ndërkombëtarët si arbitra dhe jo ne, kështu mendoj se sfida e Opozitës është të garantojë mbështetjen e tyre duke argumentuar mungesën e “Votës së Lirë” si gangrena që po gërryen shoqërinë tonë dhe e mban atë të ngërthyer në prapambetjen e trashëguar.”-tha Artur Roshi