Sot kryeministri Edi Rama do të vizitojë qytetin e Shkdrës, ku do të zhvillojë një takim me simpatizantët e Partisë Socialiste. Mbi këtë aktivitet, ka reaguar edhe kryebashkiakia e Shkodërs, Voltana Ademi e cila ka kritikuar kreun e qeverisë se ka persekutuar qytetin duke gjatë gjashtë viteve, përmes bllokimit të fondeve.
”Në Shkodër nuk je i mirëpritur, nuk je i mirëseardhur sepse për 6 vite, vetëm ke përkeqësuar e vështirësuar jetën e shkodranëve. Shkodranët i ke patur, i ke dhe do ti kesh në Tiranë, para parlamentit, para kryeministrisë deri sa të ikësh sepse do të ikësh. Ikja jote i hap rrugën Shqipërisë drejt Europës, i hap rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme, rikthen normalitetin në këtë vend”, shkruan ndër të tjera Ademi.
Statusi i plotë
Edi Rama provokon Shkodrën pasi e persekutoi përgjatë 6 viteve keqqeverisje! Pak orë pasi shembi piedestalin ku do të vendosej shtatorja e Skenderbeut në 575- vjetorin e Kuvendit të Lezhës, Edi Rama vjen të provokojë Shkodrën. Ai që e quan veten kryeministër, sepse shkodranët ia kanë hequr vizën me kohë, do të organizojë një takim partie me strukturat e mbetura të “Rilindjes” së tij që zëvendësoi PS-në, ndjesë pastë!
Për ironi të fatit, në qytetin që e la nën pushtetin e krimit nga 2013-a, do të vijë bashkë me ministrin e brendshëm. Në qytetin ku ministrja e tij e arsimit nuk denjoi të takojë studentët, Rama vjen përsëri me Shahinin e tij në krah!!!
Askush më mirë se shumica e shkodranëve, nuk e njohin më mirë fytyrën e vertetë të Edi Ramës. I dënoi me mungesë investimesh, i dënoi me papunësinë, i dënoi me emigracionin ekonomik, i dënoi edhe me kafshatën e gojës duke iu hequr ndihmën ekonomike mijëra familjeve. Vetëm një i papërgjegjshëm mund të merrte guximin të vinte në qytetin që e persekutoi për 6 vjet, në kuptimin e plotë të fjalës, ashtu siç bënë për 45 vite etërit e tij shpirtrorë por edhe biologjikë.
Me forcën e shtetit që e ke privatizuar, ti kërkon të vish në Shkodër Edi Rama. Pretendon se mund të takosh edhe atë grusht të vogël njerëzish që të kanë mbetur në “Rilindje”, rrethuar me gardista e badigardë, mbase edhe me tela me gjemba siç bëre me parlamentin e shqiptarëve.
Por në Shkodër nuk je i mirëpritur, nuk je i mirëseardhur sepse për 6 vite, vetëm ke përkeqësuar e vështirësuar jetën e shkodranëve. Shkodranët i ke patur, i ke dhe do ti kesh në Tiranë, para parlamentit, para kryeministrisë deri sa të ikësh sepse do të ikësh. Ikja jote i hap rrugën Shqipërisë drejt Europës, i hap rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme, rikthen normalitetin në këtë vend. Edi Rama, mos e provoko Shkodrën e shkodranët! Ne nuk harrojmë!