Nuk ka kaluar shumë kohë kur “lidershipi i djathtë” demokrat, por kryesisht njerëzit e pushteteve të shpërdoruara dhe shkërmoqura, prisnin që Presidenti Trump t’ju vinte në ndihmë!? Së pari si “hakmarrje” e batutave të Ramës kundër tij, të thëna sigurisht nxitueshëm diplomatikisht edhe pse në një koncept europian të drejtë realisht! Prisnin që njeriu i shtetit të madh demokratik gjënë e parë që do të bënte ishte të lëshonte “rrufe” mbi qeverinë e Ramës! Kështu e kanë logjikën “të djathtët” e dalë nga zgafellat e diktaturës si pjesë lëtyre e saj! Por hiç, asgjë, Trampi as që çau me nder jush menderen! I dha dhe dorën atij që kishte bërë batuta! Atë kohë u lodhën duke kërcënuar “jua tregon Trumpi ju”! Po ja tregon dhe Lu-së?!
Prisnin dhe pak, se çfarë do t’ju bëjë “Amerika e djathtë ju”!? Pra socialistëve, Rilindjes, mazhorancës dhe Ramës! Por, as u mor kush në USA me të tilla marrëzi tipike folklorike shqiptare, përkundrazi “i futën një bazë NATO” dhe ca mos aprovime për daljen nga kuvendi të një force politike, e cila tashmë është pre e delirit të një klike drejtuese sipër, e cila ka filluar prej kohësh aventurën e rrënimit të saj dhe tashmë i ka mbetur aventura e madhe e rrënimit të vendit për hatër të pushtetit të humbur të tyre! Them e një klike e cila ka për të dhënë llogari dhe ka probleme të mëdha me reformën e drejtësisë!
Ka probleme të mëdha ajo dhe jo demokratët! Sikundër kanë individë dhe te PS apo dhe diku tjetër LSI e kompani. Tani ka ardhur dita që në aventurën e tyre të tërheqin zvarrë dhe dy kategori demokratësh! E para, militantë bazikë pa asnjë mundësi interpretimi të qartë të demokracisë dhe e dyta, demokratë të interesuar për tu ngjitur sipër, duke luajtur pjesën e daljes në periferi të ekstremit populist dhe anti Bashkim Europian në Shqipëri! Duke shpallur të blerë nga Rama zyrtarët ë Brukselit dhe Strasburgut, duke shpallur praktikisht Brukselin dhe Strasburgun të korruptuar, duke fyer dhe sharë sikundër janë mësuar në kuvend gjithkënd, familjet, individët, sot po luajnë aventurën e fundit që është kalimi në populizëm arrogant, idiot politik dhe gati për aventurë anti ligjore e anti demokratike!
Tani për to, OSBE-ja në Tiranë është armike me një gjerman që urdhërohet “nga Rama”, zyra e BE-së e “korruptuar me italianin sot, njësoj si me Kroaten dje”, ambasada amerikane e Sorosit, ajo gjermane dhe britanike kundër tyre etj., etj! Sipas tyre dhe analizave të analistëve të tyre, Flakenshtajn dhe Kukan janë zyrtarucë të vegjël që i ka blerë Rama dhe të gjithë ato që ishin dje “një organizatë socialiste partie” nga BE dhe KE! Janë njerëz të shitur sipas lidershipit të opozitës dhe që “e kanë me opozitën shqiptare” sepse i ka blerë Rama!?
Kjo është gjendja psiqike e tyre! Ky është momenti që ato kanë, jo përballë mazhorancës dhe Ramës, por përballë shoqërisë shqiptare dhe ndërkombëtarëve! Një pyetje del vetvetiu! Kaq dementë dhe papërgjegjshëm vallë janë apo bëjnë vetë! Pra në shkodrançe, janë të marrë (çmendur) apo shtihen (bëjnë vetë) si të marrë! Sigurisht nuk janë të marrë! Individë që kanë bërë abuzime miliona e miliona euro, që kanë vrarë njerëz, që kanë shitur interesat kombëtare me firma dhe vula, që kanë hedhur në erë një fshat, duke vrarë dhe plagosur njerëz, nuk janë të marrë! Kryeindividi i tyre që ka shkaktuar fatkeqësinë më të madhe mbas diktaturës së Enver Hoxhës dhe për nga përmasat edhe më të madhe se sa të kriminelit diktator ideologjik, pra doktor Sali Berisha dhe viti 1997 i tij, janë shembulli i mirë se çfarë po tentohet të përsëritet në Shqipëri!
Por të huajt nuk janë tashmë as me të, as me partinë e tij dhe as me shpurën demente fajtore që ai i tërheq zvarrë! Të huajt kanë një “bast” që është fillimi reformës në drejtësi! Ky është momenti që aventura e Berishës dhe pas tij njerëzit e delirit patologjik shqiptar në politikë, kanë bërë llogari për irracionalizëm politik dhe bazuar në një marrëzi tjetër! Kjo marrëzi e ka emrin “pritje për fitoren e populistëve, nacionalist shovinistëve europianë, ksenofobëve në zgjedhjet e sivjetshme për parlamentin dhe pastaj komisionin Europian”! Tanimë lidershipi i SHQUP-it po pret ndihmën e madhe të kohës së zgjedhjeve dhe jo nga e djathta europiane, por nga anti Europianistët dhe populistët e acaruar me Brukselin dhe Strasburgun bashkë!
Tashmë aventurierët politikë në Tiranë janë bërë bashkë (në fakt bëjnë sikur, sepse askush nuk jua vë veshin) me partitë antisistem në Europë dhe sidomos ato anti BE! Dashurojnë Orban dhe drejtimin e tij anti BE dhe anti sistem, dashurojnë Le Pen, po dëgjoja disa “ideologë” të tyre që ishin me “Alternative fuer Deutschland”! Po po dhe me Kaczynskin polak, ose me (Fpoe) i Norbert Hofer, duan Salvinin dhe padyshim ju pëlqen që të konsiderohen tashmë anti sistem dhe anti BE! Nuk shpallen haptas kundër CDU-së së Merkel, por për Makronin, një njeri i shëmtimit politik thoshte se “është i mbaruar”!?
Tani po përpunohet gjysmë haptas se mbështetja e tyre e madhe është përmbysja e raportit politik në Europë dhe fitorja madhështore e populistëve të saj, që normalisht sipas logjikës së tyre, do të ishin në mënyrë imediate kundra Ramës dhe pro Berishës e Bashës! Po po, tentohet bashkimi me ksenofobë dhe anti integrim europian! Kjo është karta e tyre e zhubravitur që po presin dhe pak! Ky është momenti i fundit i tyre përbashkues, i fundit dhe tashmë basti i tyre për të jetuar politikisht si një formacion normal partiak! Kanë vetëm një ndihmë në vend! Një lloj “kualiteti” në arrogancë që ka Rama me të vetët dhe pjesën e njerëzve të shtresës së mesme si qytetarë të mirë, të cilët Kryeministri e di që nuk përbëjnë rrezik për askënd dhe ju shet mend, i ngarkon, apo ju thotë batuta! Po sepse me horrat tregohet tolerant dhe i mëshirshëm! Duken te faktet që me politikanët kriminelë, të cilëve jo vetëm nuk ju ka bërë gjë, por ju ka rritur kapitalet dhe vlerat e përballjes politike! Ju ka rritur kuotat financiare dhe PH-në e delirit politik!
Tashmë kjo opozitë e kërcënimeve të mëdha dhe sharjeve e fyerjeve akoma më të mëdha, po luan gurët e fundit! Sigurisht do të ndezë zjarr! përpara se të fillojnë zgjedhjet Europiane! Qëllimi nuk është thjesht ndalimi i integrimit, por krijimi i lobit anti integrim me anën e populizmit dhe anti integrimit politik të forcuar në disa vende të Europës! Do bëjnë të gjitha përpjekjet që të duken “heronj” në sytë e këtij tarikati partish dhe eurodeputetësh në qershor dhe më vonë!
Tanimë pritet që të dalin fare hapur Europës sepse “janë të sigurtë” që do të fitojnë në Europë populistët ksenofobë dhe anti sistem! Duan të bëjnë heronjtë e fillimit të “shkatërrimit të saj” në aventurën e pushtetit të synuar! Por nuk është vetëm kjo! Është lufta për të ndalur Reformën e Drejtësisë dhe anulimin e plotë të saj! Krijimin e çdo zhurme dhe përplasjeje politiko shoqërore deri në gjakderdhje (ruajna zot) për të arritur diçka! Po pra, që të mos realizohet kjo reformë dhe sidomos pjesa SPAK dhe BKH! Janë gati të bëhet “heronj” dhe të krijojnë “dëshmorë” që të mos krijohen këto organizma drejtësie të vërtetë te ne! Ky është qëllimi i tyre! /Nga Besi BEKTESHI