Nga Av. Romeo Kara
Nuk paska udhëkryq më të rrezikshëm për vendin, se sa kur e kaluara kriminale, kërkon me dhunë të përjetësohet në të arshmen.
Nëse do të kishte goditje fatale për vendin dhe brezat që do të vijnë, ajo do të ishte riciklimi i politikës regresive, të korruptuar, kriminale, antinjerëzore dhe antishqiptare e cila simbolizohet tek Berisha-Basha dhe Meta-Kryemadhi.
Të tmerruar nga një vendosje e mundshme e drejtësisë, por njëkohësisht edhe të frymëzuar nga politika pa bosht, pa grintë dhe e pashpresë e Ramës, ku minjtë e korrupsionit po përjetësohen nga posti në post, lukunia barbare e së kaluarës me Doktor Berishën dhe Doktoreshë Monikën në krye, po skërmit dhëmbët duke na rikujtuar për të disatën herë se me krimin nuk bëhen negociata, nuk bëhet kompromis, por bëhet vetëm përballja ligjore dhe e vlerave.
Që të realizohet kjo duhet që profanët e politikës, të kuptojnë se është koncepti i ligjit ai që prevalon mbi dëshirat dhe tekat e tyre, se krimi nuk luftohet me krim dhe se interesi i vendit është mbi interesat meskine te tyre apo kapriçiot e delirantizmit që i kemi me shumicë në politikë.
Pas gjashtë vjet pune, kjo qeveri duhet të përballet me veten e saj, gabimet e saj dhe përgjegjësitë e saj.
Pasi qeveria të zbatojë ligjin për grabitqarët brenda saj, dhe jo ti riciklojë nga një post në tjetrin, vetëm atëherë mund të këtë moralin për ti berë karshillik ligjor riciklimit të dy doktorëve gjakatarë Berisha e Kryemadhi.
Është më tepër se e pështirë, që të përjetosh sot në qendër të Tiranës, kundërrevolucionin atavist të doktorave të qametit.
Vetëm tek ne bën vaki, që qëndrimi dy apo gjashtë vjet në opozitë, të purifikon nga vjedhjet, krimi e korrupsioni dhe të jep të drejtën për të riardhur ne pushtet.
Vetëm tek ne bën vaki, që ish pushtetarët kampionë të korrupsionit, për t’i shpëtuar burgut, guxojnë të mendojnë dhe realizojnë me dhunë riardhjen në pushtet.
Vetëm tek ne bën vaki që krimi i hapur politik të predikojë veten si engjëll, duke u fshehur mbas gishtit apo mbas sloganeve bajate: qytetari dhe shqiptari.
Këta horra, pushtetarë apo ish pushtetarë, prej kohës së gjatë që janë kaluar mbi kalin e pushtetit, mendojnë seriozisht se ne hamë bar, pranojmë cdo ndyrësillëk që na serviret dhe se ne ekzistojme dhe kemi të drejtë vetëm që t’i bëjmë temena atyre.
Kunderrevolucioni i Jales dhe i Lalzit, duhet të marrë një përgjigje ligjore, që t’i shërbejë mirë të sotmes dhe të ardhmes, dhe cdokush t’a mësojë mirë se Shqipëria nuk do të digjet për bythën e “doktorave” të të gjitha llojeve.
Kush nuk ka këllqe për t’u bërë mbrojtës i ligjit, vlerave dhe Shqiperisë, le të lipset sa më parë se ka kush e bën atë punë.
Mjerë ata fatzinj, që erdhën me pretendimin për të bërë histori, por që po përfundojnë në koshin e plerave të historisë.