Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, pasi u njoh me akuzat në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka deklaruar se nuk ka asnjë surprizë pasi procesi kundër tij është politik.
“Akuza ishte më e rëndë. Ishte trafik droge, krijim i grupit të strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale si grup i strukturuar kriminal. Pas Aldo Bares jam i dyti me këtë akuzë. Nuk kam ndonjë surprizë të madhe prokuroria e komanduar siç e nisi e bitisi”, tha Tahiri.
Tahiri tha se Prokuroria ishte politikisht e komanduar por nuk iu përgjigj pyetjes nga kush është e komanduar. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda për tu njohur me akuzat, i shoqëruar nga avokati i tij, Maksim Haxhia. Prokurorët e çështjes Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arenc Çela mbyllën hetimet duke e marrë ish ministrin të pandehur, për dy akuza.
“Trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror”.
Pas njoftimit të vendimit Tahiri dhe avokati, i tij kanë 10 ditë kohë për të bërë kundërshtimet dhe më pas do të jetë gjyqtari paraprak që do të vendosë për dërgimin apo jo të çështjes për gjykim, me provat e mbledhura nga akuza.
Në lidhje me akuzën e parë, Prokuroria ngre dyshimet se Tahiri ka qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale të Moisi Habilajt dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të kësaj bande dhe ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të tyre.
Ndërsa akuza e ngritur për veprën penale të korrupsionit, bazohet në dyshimin se ish ministri ka përfituar nga të arrestuarit në Itali. Sëbashku me Tahirin do të dërgohen në gjyq edhe edhe 3 ish-zyrtaret e lartë të policisë , ish drejtori i policisë së Vlores Jaeld Çelën, Gjergji Kohilën dhe Sokol Boden.