Deputeti i shkarkuar nga PD, Myslim Murrizi, i ftuar në “Arena” nga Dritan Hila, ka thënë se demokratët e Lushnjës e kanë përzënë Enkelejd Alibeajn, kur ka shkuar të prezantojë kryetarin e degës të emëruar nga Basha.
“Unë jam demokrat. Ata komanduan dikë në Lushnje. Këta këtu në Tiranë më shkarkuan mua, demokratët në Lushnjë shkarkuan Bashën, nuk e pyetën, e përzunë me gjithë shkresë. Se unë atje nuk e ndërroj zonën. Alibeaj shkoj të prezantonte kryetarin, ata e shkarkuan, e përzunë me shkresë,se këta e dinë si Partia e Punës, sekretari i parë firmosë”, ka deklaruar Murrizi.
Më tej, deputeti ka treguar se demokratët e Lushnjës shkarkuan Bashën, kur PD nga Tirana i dërgoi shkresën e shkarkimit të tij degës së PD-së.
“Ata këtu lart më shkarkuan mua ata atje posht shkarkuan Bashën dhe përzunë atë shkresën që bëjnë këta. Këta ngatërrojnë administratën me partinë. Administratën e merr në telefon dhe i shkarkon por opozita është pa pagesë është shpirtërore. Nuk mund ti çosh me zor kryetar të komanduar. E përzunë dhe e detyruan të japë dorëheqjen”, ka shtuar deputeti.
Vendimi për shkarkimin e Murrizit iu përcoll bazës më 24 shkurt nga Enkelejd Alibeaj dhe sekretari organizativ, Sait Dollapi, por strukturat e PD në Lushnje nuk pranuan propozimin që të drejtohen nga Daut Sula.