Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dje se shumë shpejt do të kemi arrestime edhe në nivele politikanësh. Gjatë një takimi në Lushnjë në kuadër të turit “Bashkia që Duam”, Rama u shpreh se ende nuk janë parë frytet e vërteta të reformës në drejtësi. Sipas tij, vetingu është vetëm faza e parë, pasi shumë shpejt do të ketë arrestime si në nivel gjyqtarësh e prokurorësh, ashtu edhe në nivel pushtetarësh dhe politikanësh.
Ai shtoi se kjo është arsyeja që opozita ka djegur mandatet. Shefi i qeverisë nuk la pa sulmuar edhe presidentin Ilir Meta, pasi sipas tij, LSI nuk e donte reformën në drejtësi dhe në 2016 u mendua dhe prishja e koalicionit.
“Ne nuk tërhiqemi nga detyrimi që kemi marrë në bazë të kontratës së zgjedhjeve për ta çuar deri në fund reformën. Aty fle lepuri i madh i frikës së atyre që kanë ikur nga Parlamenti e vijnë aty për të protestuar, ndërsa ishin brenda Parlamentit. I gënjen mendja se fshihen mes popullit kur të vijë dita të japin llogari para drejtësisë. Shumëkush sot është i paduruar dhe i mërzitur sepse priste që disa të ishin aty ku e kanë vendin për të gjitha që kanë bërë. Në sistemin ku jemi nuk i bën qeveria, por drejtësia.
Qeveria bënë apo jo për të pasur një sistem drejtësie të drejtë. Ne bëmë atë që duhet dhe nuk imagjinohej më parë. Kemi nisur një reformë që ishim gati të prishnim qeverinë me ata që kishim në krah (LSI) sepse ata nuk e donin reformën në drejtësi”, u shpreh Rama. Shefi i qeverisë deklaroi se për herë të parë do të ketë arrestime në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.
Arrestimet në drejtësi
Kryeministri Rama ka komentuar edhe djegien e mandateve të opozitës, ku tha se ata do të pendohen, duke shtuar se ishte zgjedhja e tyre dhe qytetarët nuk kanë humbur asgjë. “Ashtu sikundër sot vërtetë askush nuk ka vajtur para drejtësisë nga politikanët, por janë me dhjeta gjyqtarë nga ata që drejtësinë që e kthyen në ndërmarrje fitimprurëse, që janë jashtë pallatit të drejtësisë.
Çdokush thotë se kaq ishte? Jo. Kjo është faza kur pastrohet pallati i drejtësisë. Kur po ndahen gjyqtarët e prokurorët e ndershëm nga ata që do përgjigjen para sistemit të drejtësisë për të gjitha kanë bërë qofshin gjyqtarë, prokurorë, politikanë apo biznesmenë. Shqipëria nuk do jetë më vendi ku kush bën zullume ja del dhe kush është i drejtë nuk kap fundin e muajit. Ata zgjodhën të ikin ne nuk mundemi të urojmë veç punë të mbarë edhe pse udha e tyre është e brishtë dhe ata do pendohen. Zgjodhën të ikin dhe unë besoj se shqiptarët nuk kanë humbur asgjë”, tha ai.
Rama “thumbon” Kryemadhin
Kryeministri Rama gjatë takimit me qytetarët ka vijuar duke “thumbuar” Monika Kryemadhi. Ai tha se nëse ka një parti që ka vjedhur vota, ajo është LSI. “Kujt i shkoni mbrapa. Lulit? Ata i shkojnë mbrapa Lulit se Luli i shkon mbrapa Monikës. Këtu në Lushnje është vendi i duhur që Monika thotë nga qielli Zot mbroni shqiptarët nga blerja e votës. Monika. Por kemi provën se Zoti nuk fut hundën në zgjedhje. Po të merrej zoti me zgjedhje, Monikës do i binte rrufeja larg qoftë tani. Po të merrej Zoti, gjëja e parë që do bënte ishte të kyçte Monikën në shpi. Ikën florinjtë, por ruaj gjobat. Del Luli thotë po përgatitet arrestimi filanit. Mos. Shoh që ka njerëz që janë gati t’i bien me kokë murit për Lulin, atëherë është përgjegjësi e madhe”, u shpreh kryeministri Rama. /Elisjeda Kiko