Opozita vijon përgatitjet sa i takon aksionit që do të ndërmarrë në ditët në vijim, pas djegies së mandateve. Gazeta dy ditë më parë tregoi se synohet bllokimi i rrugëve e akseve nacionale, ndërsa do të ketë protesta para Parlamentit dhe në pushtetin vendor. Por ditën e djeshme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një mbledhje me aleatët e tij dhe më pas me krerët e degëve të PD, ku iu ka dhënë udhëzime të qarta se si do të veprohet.
Sipas informacioneve, në fokusin kryesor të diskutimeve kanë qenë zhvillimi i protestave, sidomos ato para Kuvendit të Shqipërisë, teksa Basha ka kërkuar nga të gjithë krerët e partive aleate dhe vartësit e tij në degë që në tubimin e së enjtes të sjellin sa më shumë njerëz. Në këtë kontekst, sipas informacioneve, mësohet se Basha ka qenë i prerë në mbledhje duke ua bërë të qartë se gjithë synimi i protestave para Parlamentit është bllokimi nga ana e protestuesve të hyrjeve që të çojnë në këtë godinë, me qëllim mosfutjen e deputetëve në Kuvend. Madje, gazeta mësoi se të njëjtën porosi kreu i selisë blu ua ka shpërndarë edhe deputetëve demokratë. Këtë e fakton fare mirë Dega e Partisë Demokratike Fier, e cila drejtohet nga deputeti Luan Baçi.
Përmes një njoftimi, kjo degë ka kërkuar nga qytetarët e këtij qyteti dhe jovetëm që t’i bashkohen protestës së 28 shkurtit para Parlamentit, me qëllim mos lejimin e deputetëve në godinë, duke bllokuar kësisoj punën e pushtetit legjislativ. “Mbledhja e zgjeruar e Kryesisë së degës mbi organizimin e protestave të fuqishme të 28 shkurtit, 7 dhe 16 marsit. Pas djegies së mandateve, aksioni qytetar vazhdon më shumë se asnjëherë më parë.
Protestat popullore janë e vetmja rrugë për largimin e Maduros se Ballkanit. Kryetari i degës, Luan Baçi, diskutoi si të domosdoshme angazhim maksimal të strukturave, për t’i bërë thirrje çdo qytetari, që të jetë pjesë e protestës. Për ata qytetarët, të cilën nuk e kanë mundësinë e transportit, t’u krijohet mundësia e lëvizjes drejt Tiranës. Njoftim! Më 28 shkurt, ora 10:00, përpara Parlamentit, për bllokimin dhe moslejimin e zhvillimit të punimeve plenare. Vendi i nisjes para zyrave të PD-së në Fier, e enjte, 28 shkurt 2019, ora 07:00. Të bashkuar dhe të vendosur për të hapur rrugën drejt Shqipërisë europiane”, thuhet në njoftim.
FRPD protestë deri tek shtëpia e Ramës
Gazeta mësoi se në mbledhjen e djeshme të krerëve të degëve të Partisë Demokratike me kreydemokratin Lulzim Basha është hedhur edhe ideja e protestave pranë rezidencave të qeveritarëve. Sipas informacioneve, Basha ka urdhëruar degët, kryesisht Forumin Rinor të Partisë Demokratike që të protestojnë në çdo cep të Shqipërisë me qëllim rrëzimin e qeverisë.
Madje, mësohet se FRPD do të shtrijë protestat e saj deri tek shtëpia e kryeministrit Edi Rama në Surrel, duke mos e lejuar këtë të fundit që të dalë për në punë. Gjithashtu, mësohet se grupe militantësh të drejtuara nga forumet rinore të FRPD dhe LRI do protestojnë edhe para shtëpive të ministrave, duke mos i lejuar këta të fundit që të shkojnë në punë.
Po ashtu, një tjetër strategji që do të ndiqet nga opozita është edhe vijimi i protestave në rrethe dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit, sidomos në bashkitë e drejtuara nga Partia Socialiste, me qëllim paralizimin e punës së pushtetit vendor. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht./Rigels Seliman