Nga: Albert Vataj
Ëndrra e saj e përnatshme e çon në të njëjtin vend, me një shpejtësi të tejskajshme, të paimagjinueshme disi skizofrenike dhe fare të përbindshme. Nuk duhet veç gjysma e sekondës, a mos më pak dhe befas ajo gjendet atje, mes errësirës dhe në dritë, rrethuar nga imazhe partnerësh të vjetër dhe me rekuizita që ndryshojnë papritmas. Ndërsa ajo në vorbullën e një amalgame të pafundme shpërndritjesh, me një magji që vazhdon e s’ndalet, qëndron drejt, pa u mbajtur kund.
Nuk ka nevojë për karrocë invalidësh, e as për paterica paraplegjikësh nuk do t’ia dijë. Habia është zhdukur dhe vetë dyshimet e ngritura si piramidë rrëzohen njëherazi. E ndërsa skenat ndërrohen vazhdimisht, ajo interpreton mbi të e nuk ndjen lodhje. Zëri rrëshqet mbi koka spektatorësh në plate… dhe ajo vazhdon të luajë, të luajë, të luajë…
…Është po e njëjta Antonetë; pak “Luizë” dramatike, a ndoshta “Afrofiti” tekanjoze, diku një Klea e dashuruar dhe herë tjetër gjysmë orientalja Hatixhe. Por e gjitha kjo është veç një ëndërr, imazhi i së cilës përsëritet atëherë kur do dhe kur nuk ia ka ngenë sigurisht. Antoneta Papapavli, kjo aktore e magjishme e skenës dhe kinemasë shqiptare, prej më shumë se 20 -vjetësh jeton veç ëndrrën e saj. Është tërhequr nga skena dhe, teatrin nuk ka mundësi ta ndjekë nga pas, as si spektatorja e radhës së fundit.
Ndaj vetëm kënaqet me ekranin televiziv, teksa pulti kërkon pareshtur mes zhurmës aksion e triller hollivudjan, të ngujohet në stampën e njohur të vjetër, e pak të dalë boje; “Kinostudio Shqipëria e Re”. Ndoshta kjo dhe jo vetëm… por dhe ca gjëra të tjera që ajo i ka përjetuar dhimbshëm e plot kurajo, përgjatë këtyre viteve të vështira, e kanë bërë atë të jetë më e mbyllur dhe thuajse pa kontakte përtej mureve që e rrethojnë.
E padyshim, ajo nuk do më, në pakujdesinë e saj shfrenuar dikush ta shqetësojë, me një tringëllimë telefoni, a një të trokitur të padëshirueshme dere. Veç ndjen, hapat e djalit të saj në shkallë, çelësin teksa lëviz mbi bravë dhe vazhdon të qëndrojë e patrazuar në pozicionin që ka zgjedhur për t’u çlodhur. E këtë qetësi të palëvizshme, të ngurtë e të ngujuar njëherazi, ka munduar ta shprishë veç këtë herë, për t’iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari, i cili nuk pati fatin të kthehej nga rruga si të tjerë.
E pas kësaj tabuje të thyer, ndoshta ka ardhur çasti që pas kaq vitesh heshtje ajo të vazhdoje të jetë po aq publike, për të gjithë ata që e mbajnë mend nga pelikula e kinemasë, apo shiriti elektronik i kamerës televizive. Edhe ja çfarë thotë aktorja e njohur Antoneta Papapavli, në një intervistë të rrallë e ekskluzive për gazetën “Telegraf”:
Si filloi karriera juaj në skenë, një kronologji e shkurtër?
Unë kam lindur në qytetin e Përmetit, por që herët, 4 vjeç, kam ardhur me gjithë familjen time në Tiranë, ku jetoj edhe sot e kësaj dite. Pasioni për artin, baletin edhe pikturën më ka shoqëruar që në moshë të vogël në shkollë fillore e deri në të mesme. Merrja pjesë aktive në festat e ndryshme, në korin e shkollës, balet e recitime. Këto gjëra i frekuentova dhe zhvillova edhe gjatë gjimnazit. Në shkollën e mesme “Qemal Stafa” filluan të krijoheshin grupet e para artistike nga fundi i viteve ‘50. Kam marr pjesë dhe në grupet artistike në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Në fillim të viteve ‘60 hyra në shkollën e lartë për aktore, me ndihmën dhe mbështetjen e z.Tef Pali, z. Pjetër Gjoka dhe z. Pandi Stillu. Ky i fundit këmbënguli që unë ta vazhdoja dhe Institutin e Lartë të Arteve. Pas përfundimit të studimeve u emërova aktore në Teatrin Popullor Tiranë.
Cilat ishin ambiciet, vështirësitë në rolet që keni interpretuar në vite?
Ambiciet, të them të drejtën, nuk kam pasur edhe shumë, sepse ishin vetë pedagogët dhe regjisorët që duke më njohur nga vitet e shkollës, me jepnin role kryesore qoftë dhe dytësore, por që më vlerësonin gjithmonë e më shumë. Unë i arrija rolet dhe konsiderohesha nga stafi si një femër e talentuar dhe tepër logjike në interpretim. Karriera ime filloi në fakt që gjatë jetës studentore.
Duke punuar me aktorë të talentuar të teatrit, fitova një përvojë të jashtëzakonshme, e cila e përsosi më tej punën time në skenë. Gjatë viteve ‘60 – ‘70 kam interpretuar role të shumta, por fatkeqësisht këto nuk janë regjistruar sepse në ato vite nuk ekzistonte Televizioni Shqiptar. Me hapjen e kanalit të vetëm televiziv në Shqipëri, u bë e mundur regjistrimi i disa dramave, të cilat gjenden edhe sot në arkiv, si p.sh: “Karnavalet e Korçës”, “Lumi i Vdekur”, “Luiza Miller” dhe “Arturo Ui”.
Ku qëndron ndarja e roleve në teatër e kinema dhe ç’ndryshim ka midis tyre?
Besoj se s’ka aktor që mos të pëlqejë rolet e teatrit e të skenës së vogël! Sepse të punosh një rol në teatër është një shkollë e madhe e përditshme dhe e pazëvendësueshme. Çdo ditë aktori perfeksionon veten dhe personazhin. Ndërsa të luaje një rol në kinematografi, aq më tepër për ne që sapo kishim dalë nga auditori, ishte një tjetër stres, sepse duhej të ishe tepër e saktë në interpretim. Kujtoj këtu filmin tim të parë: “Komisari i Dritës”. Në kinema, pra në role që kanë të bëjnë me kamerën, duhet të jesh shumë precize, sepse filmi xhirohet vetëm një herë dhe mbetesh në celuloid ashtu siç ke vepruar atë çast.
Si e përjetuat ju si aktore periudhën e post-liberalizimit në vitin ‘73 dhe a patët pasoja?
Pas vitit 1973 edhe arti si çdo fushë tjetër e jetës u godit rëndë nga Partia në pushtet lidhur me tendencat properëndimore dhe luftën kundër tyre. Unë personalisht nuk pata asnjë problem apo ndryshim të jetës profesionale. Megjithëse shikoja kolegët, të cilët herë pas here merrnin vërejtje e kishin pasoja të ndryshme në karrierë. Fatmirësisht unë nuk pata të tilla gjëra dhe i qëndrova besnike këshillave për të bërë detyrën time sipas parametrave të asaj kohe. Ndërkohë ndonjë kolege, që ishte komuniste, më kritikonte shpesh që të mos mbaja pantallona kauboj apo ndonjë veshje tjetër që nuk ishte e moralshme për kohën.
Po në skenë si do të ndihej kjo frymë e re?
Më kujtohet se atëherë filluam të vinim në skenë edhe shumë pjesë me regjisorë kinezë. Sa çudi?! Të kemi parasysh që në ato vite kishte ndikime dhe nga Revolucioni Kulturor. Por për punën e pantallonave, për të cilat në fakt kritikohesha ca si shpesh, justifikohesha sepse vetëm kështu nuk na dukeshin këmbët, apo shalët (siç thoshnim me shoqet) kur hipnim e zbrisnim nëpër kamionë me të cilët shkonim për shfaqje në gjithë Shqipërinë, fshatra e qytete.
Cili është roli që keni interpretuar së fundmi në teatër apo kinema dhe kur u larguat nga jeta artistike?
Unë u largova nga skena për shkak të sëmundjes së këmbëve të mia, të cilat nuk kishin më forcë të mbanin mbi to trupin tim dhe lëvizjet e mia në skenë e në filma. Nuk isha më e aftë të qëndroja për një kohë të gjatë në këmbë. Kështu vendosa që të dal në pension të parakohshëm që në moshën 50 vjeç. Ishte viti 1988 kur unë u shkëputa tërësisht nga aktiviteti. Mbaj mënd në mes të viteve ‘80 në mos gaboj, dy role të mija në teatër: “Shtëpia me dy porta” dhe “Pallati 176”. Këto dy komedi ishin rolet e mia të fundit.
Ndërsa në këtë periudhë kisha xhiruar në kinostudio filmat: “Si gjithë të tjerët”, “Hije që mbeten pas”, “Apasionata” dhe. Kujtoj ditët e xhirimeve në Sarandë dhe pamjet e qytetit aq të pastër dhe të bukur, të cilat më erdhën shumë pranë kur e pashë në një stacion televiziv para pak kohësh, filmin, “Nxënësit e klasës time”.
A keni pasur propozime të tjera për të luajtur në skenë apo kinema?
Edhe këtë periudhë që kam qenë e sëmurë kam pasur shumë propozime për role në teatër, por që kam qenë e detyruar t’i refuzoj të gjitha sepse nuk lëviz dot nga paraliza që më ka mbërthyer. Personalisht ka ardhur në shtëpi z.Kiço Londo dhe më ka propozuar për bashkëpunim me teatrin e tij dhe përsëri kam refuzuar. Ai më ka dashur shumë si aktore dhe më shikonte si protagoniste në shumë role, të cilat ai i vinte në skenë. Këtë përkushtim nga ana e tij e çmoj shumë dhe njëkohësisht e vuaj që nuk ja dhashë kënaqësinë për të qenë pjesë e stafit të tij. E përshëndes Kiçon dhe i uroj sukses në punën e tij si regjisor.
Si përjetohej në familje karriera juaj dhe si reagonin familjarët për rolet të ashtuquajtura problematike?
Kryesisht familja më ka mbështetur dhe asnjëherë s’ka qenë pengesë për karrierën time të çfarëdo roli qoftë. Burri dhe djemtë vinin gjithmonë të më shihnin kur kisha premiera dhe kënaqeshin e më prisnin deri sa mbaroja shfaqen. Kjo më jepte një kënaqësi të madhe, madje shpesh më thërrisnin me emrin e rolit, duke më ngacmuar si: Cuca, Zonja Hatixhe, Klea, Afroviti etj.. Ishte vërtet bukur sepse kjo tregonte që unë i kisha arritur rolet.
A komunikon tashmë me koleget tuaja të dikurshme dhe cilat janë marrëdhëniet me to?
Tanimë po bëhen me shumë se 18 vjet që jam sëmurë, por disa kolegë e shoqe të punës nuk më kanë harruar dhe kanë ardhur për të më vizituar. Kujtoj këtu, shoqen time Mimika Luca, Edi Luarasi, Besa Imami, Marika Kallamata etj.. Kujtoj edhe disa shokë si, z. Pëllumb Kulla, Vladimir Prifti, Ali Bega etj., që për këtë çast nuk i kujtoj dot, e të më falin. Erdhën edhe këta shokë në kohë të ndryshme e tepër të vështira dhe më dhanë shumë jetë e kënaqësi.
Rivaliteti mes jush, ekzistonte?
Përsa i takon rivalitetit, kjo gjë nuk ka ekzistuar të unë. Shoqet i kam dashur e respektuar shumë. Qoftë më të mëdha apo më të reja, për mua ato ishin të talentuara e të respektuara: si Mimika, Roza, Besa, Pavlina, Margarita, Edi Luarasi, e shumë të tjerë, vetëm respekt dhe dashuri ndjej akoma për ta. Bashkë ndanim të gjitha hallet dhe problemet gjatë xhirimeve apo turneve. Solidariteti ishte motivi kryesor i punës dhe i karrierës. Por koha bën të veten dhe njerëzit harrohen, largohen sepse kanë hallet e veta dhe jetën e tyre. Gjithmonë do kem nostalgji për vitet e shkuara, të cilat nuk kthehen më mbrapa, por ato vijnë me shumë forcë nëpërmjet fotove ekranit etj..
Jeni nostalgjike për atë çka keni dhënë dhe doni ta shihni veten në ekran?
Më pëlqen t’i shoh filmat shqiptar në televizor. Dhe natyrisht, nostalgjia e skenës është shumë e madhe njëkohësisht edhe ajo për filmat. Por s’ke ç’i bën, kështu e solli fati.
Ju shkuat për kurim në Greqi? Ishte e vështirë terapia?
Duke qenë e sëmurë dhe duke mos pasur mundësinë të kurohesha këtu, kam vajtur me ndihmën e disa miqve të burrit, Teodorit, në një spital në Greqi dy herë: në vitet 1994 dhe 1998. Aty ishin edhe djemtë, të cilët më ndihmuan gjatë gjithë kohës që kreva vizitat edhe operacionet. Kalova çaste të vështira dhe operacioni doli relativisht me sukses. Më vonë pas vdekjes së burrit (viti 2001) unë u sëmura shumë dhe pësova një paralizë në vitin 2003. Edhe sot e kësaj dite, në saj të ndihmës së djalit tim po kaloj në shtëpi çaste të vështira, por jam e kënaqur dhe me këto kushte…
Gjatë karrierës së saj ka interpretuar në 130 role
Rolet në pjesë teatrale
1.Rrugë të tërthorta 1963
2.Rrethimi i bardhë 1965
3.Vajza optimiste 1964
4.Ariu 1966
5.Orfeu zbret në ferr 1969
6.Shokët 1968
7.Orët e Kremlinit 1976
8.Prefekti 1977
9.Karavidhet 1978
10.Tre të shtëna pushke 1966
11.Nga errësira në dritë 1979
12.Bashkë me agimin 1980
13.Pas provimit të fundit 1983
14.Një nuse për Stasin 1979
15.Viti 1961 1965
16.Karnavalet e Korçës 1977
17.Një ngjarje në fabrikë 1968
18.Cuca e maleve 1969
19.Arturo Ui 1969
20.Luiza Miler 1977
21.Lumi i vdekur 1978
Rolet në kinematografi
1.Komisari i Dritës 1963
2.Tinguj Lufte 1976
3.Kërcënimi 1978
4.Përballimi 1981
5.Nxënësit e klasës time 1981
6.Ata ishin katër 1983
7.Apasionata 1984
8.Shoku ynë Tili 1984
9.Shoqja nga fshati 1979
10.Përtej mureve të gurta 1979
11.Hije që mbeten pas 1982
12.Zonja nga qyteti 1980
13.Gjurmë në kaltërsi 1979
14.I treti 1979