Qeveria do të rihapë importin e automjeteve me moshë mbi dhjetë vjet. Vetëm dy muaj pas hyrjes në fuqi, vendimi i cili ndalon importin e makinave të vjetra, pritet të anulohet. Ministria e Energjisë dhe ajo e Turizmit kanë nisur punën për përgatitjen e vendimit të ri, por mbetet ende e paqartë nëse do të lejohen të gjitha automjetet e përdorura, pavarësisht vitit të prodhimit, apo do të ketë një rritje të moshës së lejuar nga 10 vjet në një moshë më të madhe.
Vendimi për të ndaluar importin e makinave më të vjetra se dhjetë vjet u trumbetua nga qeveria si një masë, e cila do të ulte ndjeshëm ndotjen e ambientit. Vetë kryeministri Rama përmes një videopostimi në Facebook, pati informuar publikun se 80 për qind e automjeteve në Shqipëri janë me certifikatë euro 3, me moshë të vjetër prodhimi dhe shkaktojnë 3 herë më shumë ndotje nga niveli normal.
Por pas kundërshtimeve nga tregtarët e automjeteve të përdorura, qeveria duket se është tërhequr dhe ka ndryshuar tërësisht qëndrim, duke rikthyer sërish importin e tyre, pavarësisht nivelit të ndotjes. Aktualisht mosha mesatare e automjeteve që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë është ndër më të lartat në Europë, rreth 20 vjet, ndërkohë që shumica e vendeve të Bashkimit Europian kanë vendosur kritere të forta në këtë drejtim, duke lejuar vetëm automjetet me certifikatën euro 6, që janë të viteve më të fundit/ TCH