Nga: Albert Zholi
Këngëtarja-aktore, që solli mjaft risi në prezantimin e festivaleve. Pengu i saj në skenë? Që nuk ka mundur të luajë rolin e “Pigmaljom” të Bernard Shout…
Një jetë spektakolare: Mes këngës, skenës dhe dhimbjes… Kjo është ajo që ka shoqëruar Edi Luarasin, këtë kolose të aktrimit dhe prezantimit. E fragmentarizuar në disa dashuri të mëdha, si ajo me Mihallaq Luarasin; një tjetër me rolet e saj; apo edhe me këngën, të cilën iu desh ta ndërpriste në mes. “Aktrimi, lindi atëherë kur s’e prisja tek unë.
Lindi kur isha dashuruar me diçka tjetër. Isha e dashuruar me këngën, me muzikën…”, ka rrëfyer ajo. Skena erdhi papritur tek ajo, mund të thuash si një pranverë e shpejtë, por e heshtur. Ndërsa Mihallaqi e kërkonte një rol në qiell, e kishte aty afër, vetëm disa metra larg, tek Edi… E kështu vijoi rrugëtimi i saj, teksa në rolet e saj ajo do të paraqitej gjithnjë me dinjitet artistik dhe do të dallohej për temperamentin e fuqishëm e pak rebel, për intuitën apo imagjinatën artistike, por edhe рër një botë të раsur shpirtërore.
Ajo mbeti përherë energjike, plot temperament, e pamposhtur, krenare dhe plot ëndrra për të ardhmen. Edi Luarasi vezulloi pak vite në skenë, por gjurmët e saj janë të arta, si vetë qëndresa e saj e pashembullt në një kohë të zymtë, që shumë pak femra mundën ta përballonin…
Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi
Fëmijëria e Edi Luarasit
Edi lindi në Tiranë në vitin 1940. Ishin ende vitet e luftës dhe rrugët e Tiranës ishin të mbushura me krisma armësh. Që e vogël, ajo ishte një fëmijë i hedhur dhe i zgjuar, që i donte shumë lodrat. Dhe në vitet e para të çlirimit, kur Tirana po pastronte plagët e luftës, fëmijëria e Edit sikur mori frymë. Ja si shprehet ajo në një intervistë që i kam marrë para disa vitesh:
“Kam qenë një fëmijë shumë i hedhur, shumë i lëvizshëm, shumë çapkëne. Isha një fëmijë, që gjithmonë lozja futboll me çunat e lagjes. Më shumë rrija me çuna, se me goca. Kohën më të madhe me ta e kaloja. Isha e gatshme të grindesha për çdo gjë. Futbolli ishte loja e parë për mua, por edhe kënga. Kur isha në shtëpi vetëm këndoja. Përveç këngës, hobi kisha biçikletën. Kisha një biçikletë “Bianka” të vogël që s’e lëshoja kurrë nga vetja. Me të ndihesha sikur kisha avion.
Më dukej vetja më e rritur, më e sigurt, më e diferencuar. S’kam lënë rrugë të Tiranës pa gjezdisur. Më jepte një kënaqësi të veçantë. Isha një fëmijë grindavece që “Mos o zot”. Isha gati të zihesha për hiç mos gjë. Nuk i duroja padrejtësitë. S’kishte çun që të grindej me mua. Grushtin e kisha të parin. Mbaj mend që më ka thënë motra që e kish ngacmuar një çun. I thashë të më tregonte kush.
Nuk ja përtova. Ia vesha me grusht. Ai u patakt…”. Fëmijëria e saj pas moshës 6-vjeçare ishte e zhurmshme. Shumë e hareshme. Një fëmijëri plot ëndrra, dëshira. Një fëmijëri që e gjente në shkallët e “Shtëpisë së Pionierit”. Aty gjente veten, aty plotësonte çdo boshllëk të kohës. Aty ku në moshën 9-vjeçare filloi edhe të këndonte. Pikërisht në këtë “Shtëpi Pionieri”, ju hap një dritare në jetë. Koha fliste për Edin…
Kënga dhe aktrimi, dy binjakë që u ndanë kur s’e priste
Që në moshë të re, ajo ka debutuar në skenë. Fillimisht në vitin 1956, kur ishte 16-17 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës së Tiranës. Ishte një duet simpatik, që mori shumë vlerësime për kohën. Në të gjitha shfaqjet e kohës, ku Estrada e Tiranës korrte sukses, sigurisht spektatori do të duartrokiste fuqishëm edhe “Motrat Mirdita”.
Edi Luarasi edhe sot është një nga motrat “Mirdita”, të njohura, në gjysmën e dytë të viteve ‘50, në interpretimin e këngëve të lehta në Estradën e Ushtarit е më pas në Estradën е Shtetit. Por Edi në moshën 18-vjeçare, kur fillon karrierën e saj si këngëtare, në të njëjtën kohë, merr рjеsë dhe në skeçe të ndryshme, ku zgjon në vetvete se për aktrimin kishte po aq dashuri, sa edhe për këngën.
Ishte mosha kur ajo si këngëtare po linte gjurmë dhe po merrte vlerësime. Kritikët e artit thoshin se do bëhej një këngëtare potente dhe me shumë të ardhme. Qysh 17-vjeçe këndonte këngë që ishin të vështira për zërin e saj dhe kështu po e dëmtonte së tepërmi zërin me ato këngë të vështira për moshën dhe kohën.
Por si ndodhi që Edi la këngën për aktrimin?
Aktrimi, skena erdhi papritur tek Edi, mund të thuash si një pranverë e shpejtë, por e heshtur. Erdhi si një fllad pranveror që i mbushi zemrën, që i ndriçoi rrugën. Ishte një moment kalimtar që ajo e kujton mes lotësh, mes emocionesh, sepse i tillë mbetet ai moment për të. Pra, këndonte në Estradën e Shtetit, ishte këngëtare dhe këngët e vështira për zërin po ia dëmtonin kordat e zërit të bukur, kumbues, por tepër të pjekur për moshën.
Ky ishte ngërçi. Ky ishte momenti që e thërriste; “Edi, rri larg këngës dhe ruaj zërin!”. Po ku të shkonte? Kur ajo ishte në kulmin e karrierës si këngëtare në Estradën e Shtetit, ku ishte regjisor Mihallaq Luarasi, kërkohej një personazh për një rol. Pra, kërkonte një personazh për një rol regjisori i madh Skënder Luarasi. Sipas asaj që ai përshkruante në rol i duhej një vajzë tip llasticë, e përkëdhelur, lajkatare, plot naze, shpërthyese, plot vrull.
Skënderi i madh po studionte kudo ku shkonte për rolin, pasi brenda në estradë po nuk e gjenin. Për një moment, Mihallaqi ndalet, qesh me vete. Ai kërkonte në qiell, por në fakt e kishte aty afër, vetëm disa metra larg. Dhe kur koha nuk premtonte, Mihallaqi u ndal tek Edi. E thirri dhe i ofroi rolin. Edi në fillim ngurroi. Nuk ishte e përgatitur ende për këtë gjini arti. Iu duk një ofertë e pabesueshme, e largët, e paarritshme.
Ajo tashmë ishte afirmuar në këngë, muzikë. Dyshime të shumta i vinin në kokë. Të pranonte? Po si, qysh, si do dilte, a do t’ia arrinte qëllimit? Dyshimet dhe mëdyshjen ia largoi vetë Mihallaqi. Ai ishte një regjisor që kishte shumë ide, pasi kishte mbaruar në Hungari për regji me nota të shkëlqyera. Ishte regjisori që diskutohej më shumë në Tiranë, për veshjen, energjinë, për kulturën, vizionin. Thjesht, Mihallaqi po sillte një frymë të re në regjizurën shqiptare dhe ai vepronte me maturi dhe besueshmëri. Me të folurën e tij të bukur, bindëse, ai diti ta bindte Edin….
Ja si shprehet ajo në një intervistë që e kam marrë në vitin 2011: “Hëm..Aktrimi, lindi atëherë kur s’e prisja tek unë. Lindi kur isha dashuruar me diçka tjetër. Isha e dashuruar me këngën, me muzikën. Pra, që në moshë të re fëminore unë kisha në zemër këngën, muzikën. Këndoja në shumë aktivitete që organizonte “Shtëpia e Pionierit”. Këngët ishin nga më të ndryshmet.
Kryesisht të muzikës së lehtë, por edhe disa popullore apo lirike. Mund të them se ishin këngë të specifikuara për zërin tim. Por të gjithë më thoshin se zëri im ishte pjekur para kohe. Pra, nuk ishte si zëri i bashkëmoshatareve, apo i atyre që ishin dy apo tre vjet më të mëdha. Ishte një zë më i pjekur, më i plotësuar, më i trashë. Në këto momente, më afrohet për një rol Mihallaqi.
Ai ma sqaroi disa herë duke më thënë se do të më ndihmonte për këtë që më ofronte. U binda! Pranova. Pra, roli im i parë ka qenë ai i një vajze çapkëne me Estradën e Shtetit kur isha vetëm 17 vjeç. Pas përfundimit të rolit, më duartrokitën. Mihallaqi ngeli shumë i kënaqur. Më përqafoi. S’e besoja se kisha realizuar një rol që do më ndryshonte rrjedhën e jetës.
Pas tij, Mihallaqi më besoi edhe dy tre role të tjerë. Të gjitha dolën me sukses. Tashmë i kisha kaluar 17 vjetët dhe kalova në 18. Ishte një moment që më pëlqente më shumë aktrimi se sa kënga. Bile e ndjeja se në këngë s’mund të jepja më tepër. Kisha dhënë të gjitha sa kisha. Një rrugë e re më priste…”.
Në Institut, për aktrim
Ishte këmbëngulja e Mihallaqit, që Edi të vazhdonte studimet për aktrim. Ai e detyroi të shkonte në Institutin e Arteve. Shkoi duke ndjerë dorën e tij të ngrohtë, duke ndjerë ndihmën e tij, mësimet e tij. Tashmë pas kaq rolesh dhe suksesesh, e ndiente se e ardhmja e saj ishte pikërisht aktrimi. Edi ishte matura e parë që mbaroi në Shqipëri për aktrim.
Pra, ishte ndër studentët е klasës së раrё dramatike, pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. “Shumë zhurmë për asgjë”, me tё cilën mori diplomën, e evidentoi si aktore me të ardhme, pasi korri sukses. Pikërisht këtu do të fillojë dhe ajo karrierë artistike e pasur, ku si aktore pranë Teatrit Popullor, më pas do të luante mbi 30 rоlе… Roli i parë pranë Teatrit Popullor ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” e shfaqur në vitin 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin, me skenar të Fadil Paçramit.
Ishte koha kur Kujtimi ishte regjisori më në zë. Më pas erdhën “Kordelia”, “Mbreti Lir”, “Сuса e Maleve”, “Rrugë të tërthorta”, “Shtëpia në bulevard”, “Doktor Aleksi”, “Shkurte Pal Vata”, etj. Në këto role, si dhe në tre filmat ku luajti “Vitet e para”, “Gjurmët” dhe “Ngadhnjim mbi vdekjen”, Edi paraqitej gjithnjë me dinjitet artistik, dallohej për temperamentin e fuqishëm dhe pak rebel, për intuitën dhe imagjinatën artistike, si dhe рër një botë të раsur shpirtërore. Ajo mbetej ashtu si në vogëli, energjike, plot temperament, e pamposhtur, krenare dhe plot ëndrra për të ardhmen…
Dashuria me Mihallaq Luarasin
Mihallaqi e njohu që 17-vjeç kur ajo ishte ende e vogël për të menduar për dashuri dhe martesë. Por si mund ta linte Mihallaqi atë vajzë të bukur, elegante, çapkëne, plot vrull dhe me një shpirt të pastër? Ishte ai që e ndiqte kudo, e udhëzonte, i jepte dorën në situata të ndryshme jetësore. Sytë e tij kishin kohë që i shprehnin dashurinë Edit. Por erdhi momenti që ai ia shprehu dhe përballshëm: “Edi, të dua!”. Ajo u skuq, mbuloi fytyrën me duar.
Iu duk si një ëndërr. Ende s’e mendonte dashurinë në këtë moshë. Atë natë nuk fjeti gjumë. Por edhe ajo e ndjente se e donte, se kishte po aq dashuri sa Mihallaqi në zemër, por i vinte trup t’ia shprehte. Dhe gjeti belanë me prindërit. Ata nuk donin. S’e pranonin dashurinë e tyre, pasi thoshin se Mihallaqi është shumë ekstravagant, mendjemadh, njeri ndryshe, për më tepër edhe 11 vjet më i madh se ajo. Ndërsa Edi ishte vajza më e kërkuar në Tiranë për kohën. Por Edi e kishte zgjedhur…
KARRIERA
Kulmi i suksesit autorial, drama “Njolla të murme”
Ndër kulmet e saj si aktore, përmendim rolin e Leas tek drama “Njolla të murme” (1969) të Minush Jeros, me regji të Mihallaq Luarasit, dhënë me rastin е Festivalit të Katërt Kombëtar të teatrove të dramës nga trupa “А. Z Çajupi” e Korçës. Ishte koha kur Shqipëria po shfaqte shenja liberalizimi në arte. Ishte koha kur arti me të vërtetë lulëzonte si kurrë ndonjëherë. Në këtë Festival, juria qendrore për regjinë i jep Medaljen е Festivalit të shkallës të раrë, regjisorit Mihal Luarasi, bashkëshortit të Edit, me motivacion: “Për vënien në skenë me nivel të lartë ideo-artistik të pjesës “Njolla të murme”, e së fundi, i akordon ро medaljen e shkallës së раrë aktores Edi Luarasi, рër interpretimin me nivel të lartë ideo-artistik të rolit të Leas.
Suksesi ishte i madh, përgëzimet gjithashtu. Por ende pa gëzuar frytet e medaljeve pas tre shfaqjesh shumë të suksesshme, kjo drame, së cilës masa e gjerë e popullit i kishte kushtuar një vëmendje të madhe, cilësohet si një “Njollë e zezë рër аrtin tonë revolucionar e plot partishmëri”. U ndalua në mënуrë kategorike shfaqja e saj. Kur kërkesat për ta riparë po rriteshin, drama u ndalua. E pabesueshme! Zëra të shumë qarkullonin dhe e tirrnin si mos më keq këtë ndalesë. Ishte një sinjal jo i mirë, pasi “Njollat e Murme” dhe vënia e saj në skenë mundi të rrokte me pjekuri dhe largpamësi problemin me delikat të kohës, lindjen e parazitëve të rinj, të cilët hanin në kurriz të të aftëve.
Kjo nuk mund të falej nga aparatçikët administrativë, servilë të kohës. Ata e kuptonin se indirekt ajo dramë ata godiste ndaj ata nuk mund ta falnin. U turrën e kritikuan, e goditën, e shanë, e kryqëzuan atë dramë që ishte shkëndijë e parë për të hapur errësirën e kohës. Foshnja u godit që në djep. Errësira s’e pranonte dritën. Një kulisë po gatuhej ndaj çiftit Luarasi. Duhej venitur ajo famë reale dhe shumë e përgëzuar në popull.
TELEVIZIONI
Prezantuese e dy festivaleve më të rëndësishme RTSH, të 10 edhe 11
Ndërsa dy festivalet e RTSH-së, ai i 10-ti dhe i 11-ti mbeten në historinë e muzikës së lehtë shqiptare, për elegancën, shpërthimin, modernitetin, vizionin evropian, për thirrjen për një jetë ndryshe, për thyerje të barrierave të kohës me të ashtuquajturën “Shfaqje të huaja”. Dhe në këto dy festivale që edhe sot diskutohen me po aq zjarr si atëherë, spikere ka qenë e madhja Edi Luarasi. Ato festivale mbeten për të ndër ditët më të bukura, por dhe ndër ditët kur po përgatitej skema e goditjes ndaj Mihallaqit. Kishte vite që Sigurimi i Shtetit po kërkonte ta dënonte gjoja për prirje liberale. Dhe rasti erdhi në Festivalin e Njëmbëdhjetë.
Ai Festival që bëri bujë, që i dha zemër rinisë, që theu tabutë e veshjeve të ngurta, që u bë sinjal për një jetë ndryshe dhe jashtë kornizave të kohës ishte dhe një sinjal ogurzi për Mihallaqin dhe Edin. Edi ishte prezantuese sërish në Festivalin e 11-të, pas atij prezantimi brilant të Festivalit të 10-të. Dy herë prezantuese, kur dihet që të gjithë sytë i kishin në Radio-Televizion, pasi Festivali ishte ngjarja më e madhe kulturore e vitit.
BURGOSJA E MIHALLAQIT
Goditja e madhe!
Pa u shuar gëzimi, erdhi goditja. Goditja e madhe. Goditja që nuk e mendonte. Mihallaqi u gjykua për tendenca të huaja, pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë. Pra, ajo që Sigurimi e priste, erdhi. Mihallaqi u dënua me 8 vjet burg. U dënua një i pafajshëm, një regjisor i madh, një intelektual tejet i civilizuar dhe me tipare të theksuar europiano-perëndimore. Pas dënimit të Mihallaqit, një goditje tjetër.
Drejtuesit e teatrit i afruan si alternativë për të qëndruar në punë të ndahej nga Mihallaqi. Alternativë?! Edi as s’e mendonte kurrë të ndahej nga dashuria e parë, ajo që i ndriçonte zemrën në çdo hap të jetës. Kurrë s’e çoi ndërmend të linte Mihallaqin, yllin e saj ndriçues jetësor. Edin e pushojnë nga Teatri Kombëtar. Nuk kishte rrugë tjetër. Një jetë skëterrë e priste. Një jetë larg skenës. U fut në punë në rrobaqepësi.
Ishte një punë e re, por që e kapi shpejt. Por për të marrë gjysmë pension i duhej të punonte si hamalle, që të plotësonte 15 vjet punë të vështirë. Një artiste e madhe përfundoi si hamalle, ku ngarkoheshin makinat. Ironia e fatit. E pabesueshme! Vetëm një muaj mundi të punonte në këtë punë skllevërish, që në atë kohë në Europë askush nuk mund ta mendonte për një burrë dhe jo më për një aktore të madhe dhe yll të bukur.
Ishin vite shumë të vështira. Disa miq nuk i flisnin më. Ndoshta kishin të drejtë, por edhe Edi u shmangej. Punoi rreth 16 vjet si rrobaqepëse ku punonte edhe në shtëpi, përveç punës në shtet. Por edhe pse u dënua 8 vjet, Mihallaqi kreu vetëm 6 vjet burg. Ai u lirua në vitin 1980. Përafërsisht, 11 vjet punoi si bojaxhi.
VITI 1991
51 vjeç, Edi Luarasi rikthehet nё skenë…
Nuk e mendonte se do të kthehej sërish në skenë. I dukej se ajo ëndërr ishte mbytur me kohë në oqeanin e errësirës komuniste. Por ja, vjen një çast dhe e kërkojnë në skenë. Kishte ardhur demokracia. Ishte një moment i vështirë. Ndodhej në dilemë, të dilte apo jo në skenë. Mendonte sesi mund të luante në teatër, në një rol shumë të vështirë.
Por punoi dhe e realizoi rolin si mos më mirë. Ishte paksa e vështirë, pas 18 vjet shkëputje, megjithatë me kurajo e pasion tё pashtershëm, arriti të fitonte dhe të meritonte duartrokitjet e publikut nё dramёn “Vizita e Damës plakë”. Kishte menduar se kishte humbur publikun, por jo. Ai nuk e kishte harruar… Por edhe pse lozi dhe tre role të tjerë, këto me shkëputje nga Hungaria, shkëlqimin e “Vizita e Damës plakë” nuk e arriti dot.
Ndoshta ajo dramë ishte fundi i skenës së një diveje të madhe. Te “Vizita e Damës plakë” Edi shpalosi gjithë talentin e mbetur duke bërë të pamundurën të arrinte në lartësinë që i kërkonte spektatori kryeqytetas. Ky ishte roli që e lartësoi sërish në demokraci, aktoren e madhe të një vendi të vogël.
Pengu i skenës
Nuk ka artist pa pengje në jetë. Edhe Kadri Roshi i madh e kishte peng të luante një rol për Ali Pashanë. Po Edi kë kishte dhe kë ka akoma peng? Ka atë, që nuk ka mundur të luajë “Pigmaljom” të Bernard Shout. Bëhet fjalë për një studim të një profesori që i bëhej një femre të ashpër, ordinere, me fjalor rruge, e paarsimuar sesi mund dhe a mund të bëhej aristokrate.
Për shumë vite, ajo bëhet e tillë dhe arrin sukses. Pas shumë vitesh, bashkë në rrugën e suksesit profesori dhe vajza bien madje edhe në dashuri, por profesori nuk donte ta besonte. Ky skenar është realizuar në film nga e madhja Luiza Dulitëll. Dhe pedagogjia e saj ruse i thoshte: “Duhet patjetër që ta realizosh këtë rol”./Aktoret Shqiptare