Java që lamë pas padyshim ishte e ngjeshur me ngjarje politike, por edhe festa, si ato të 7-8 Marsit, me rastin e të cilave politikanët u vunë në resht për të uruar e vizituar shkollat ku dikur kanë mësuar.
Rubrika humoristike e emisionit të së shtunës “Kjo Javë” në News 24 ka grupuar momentet më pikante të javës. Ndërsa nga kryeministri Rama e ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u dëgjuan fjalë prekëse e ndjesa për gjerat e pa bëra ende për arsimtarët, paksa më ndryshe kemi parë Presidentin e vendit.
Ilir Meta ka zgjedhur shkollën “Fan Noli” ku dikur studionte për tu kthyer sërish në një orë mësimi. Ai nuk ka harruar lulet për mësuesen e tij, e bashkë me to ka shkëmbyer batuta e të qeshura.
Të qeshurat nuk kanë munguar as në kampin blu. Kryedemokrati Basha është parë që të hënën e Kuvendit në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha e ashtu bashkë, të qeshur e krahë për krahë hynë në sallë. Me sa duket ata të dy nuk i shqetësojnë fare zërat kundër që sa vijnë e shtohen, kritikat jo e jo.
Një prej kritikëve të ditëve të fundit është edhe Arben Imami, demokrati që nuk pranoi të ishte pjesë e grupit të analizës së partisë. E ndërsa vetë Imami sqaroi qëndrimin e tij, kamera e “Kjo Javë” e ka kapur këtë të fundit në një moment pak të sikletshëm.
E si për t’i vënë kapakun zhvillimeve të kësaj jave, në partinë më të madhe opozitare është parë të hyjë kaubojsi. Nuk po flasim për ish-deputetin Eduard Ndocaj, por për një kaubojs të ri brenda PD-së. Ai është Gent Strazimiri.
(m.a/BalkanWeb)