Pas demonstrimit të hapur të dhunës në protestën e 16 Shkurtit dhe vendimit të paprecedentë për djegien e mandateve të deputetëve, veprime të dënuara publikisht nga faktori ndërkombëtar, Partia Demokratike ka intensifikuar aksionin e saj për t’i nxirrë faqen vendit ndërkombëtarisht.
Për këtë, Lulzim Basha ka shfrytëzuar edhe një herë më shumë lidhjet e tij ruse, të cilat i përdor sa herë mendon që diskretitimi i Shqipërisë ndërkombëtarisht, i bën mirë interesave të tij të ngushta, brenda vendit.
Së fundmi, Basha ka dhënë një prononcim për televizionin rus “Russia Today”, nga ku përsërit të njejtat indicie të pafaktuara se qeveria shqiptare është e kapur nga krimi. Përkundër nga sa pretendoi dje zyra e shtypit të Partisë Demokratike, se Basha nuk kishte folur kurrë për këtë televizion, videoja e mëposhtme tregon se si Basha nxin vendin nga ekrani i “Russia Today”.
“Shqipëria është në zjarr”, dëgjohet të thotë moderatori i “Russia Today”, i cili vijon të përshkruajë vendin tonë si një vend kriminelësh, duke iu referuar deklaratave të Bashës. Por dashur pa dashur, përmes këtij televizioni, Basha ka nxjerrë zbuluar lidhjet e tij, me sa duket të forta, me lobet ruse.
Po në të njejtin edicion informativ ka dhënë një intervistë për “Shqipërinë e krimit dhe të drogës”, gazetarja me origjinë angleze Alice Taylor.
Taylor nuk është një emër i panjohur për shqiptarët. Me banim tanimë në Tiranë, ajo është një editorialiste e rregullt në portalin e këshilltarit të Komunikimit të Bashës (Neritan Sejminit) exit.al. E jo vetëm kaq. Alyce Taylor rezulton të jetë e fejuar me truprojën personale të Lulzim Bashës, Ergys Hoxha. Siç duket nga fotot, Hoxha është një nga dy truprojat e besuar të Lulzim Bashës që e shoqërojnë atë kudo që shkon.
Lidhja e Taylor me truprojën e Bashës, propaganda e saj në portalin e partisë dhe njëkohësisht në televizionin rus, është vetëm maja e ajsbergut të kësaj marrëdhënieje të thellë.
Taylor rezulton të jetë gjithashtu korespodente nga Tirana për portalin rus tsarizm.com. Në bordin drejtues të këtij portali është lobisti rus Yuri Vanetik, mik dhe bashkëpunëtor me Nick Muzin, Mike Flynn dhe Kemal Alptekin, që të tre lobistë të Lulzim Bashës. Yuri Vanetik është sot nën hetim nga departamenti amerikan i shtetit pasi sipas prokurorëve amerikanë, ai e përdor portalin për të fabrikuar shkrime në favor të klientëve për të cilët lobon si përfaqësues zyrtar, veprim që drejtësia amerikane e cilëson të paligjshëm.
Portali Tsarizm është i mbushur me shkrime kundër identitetit të shqiptarëve, e në të njejtën kohë me qoka, promovime dhe reklama për klientët e lobistëve si Nick Muzin dhe Yuri Vanetik, dy njerëz që sipas investigimeve kanë shërbyer për Lulzim Bashën. Këtë gjë e ka bërë edhe Alice Taylor, e cila duke iu referuar plagosjes së efektives Ina Nuka disa muaj më parë, shkruante në portalin tsarizm.com se oficeret femra pa eksperiencë dhe të pasiguruara si Ina, po përdoreshin nga qeveria për propagandë.
Në këtë mënyrë, zinxhirit të lidhjeve ruse të Bashës i shtohet edhe gruaja e truprojës së tij, një blogere e cila përveçse portalit të partisë, shfrytëzon edhe mediat në pronësi të lobistëve rusë si Yuri Vanetik, për të bërë propagandën e kreut demokrat. E më keq akoma, Taylor bën me të njejtën gjuhë si Basha, propagandën kundër të ardhmes europiane të Shqipërisë, përmes deklaratave të saj në “Russia Today”.