Pretendimet e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim se mazhoranca qeverisëse ka blerë votat janë “flluska sapuni”. Ka qenë zëvendësambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, i cili e ka konfirmuar një gjë të tillë. Teksa ditën e djeshme, Wilton ishte në një takim me të rinjtë në Shkodër, ai ka folur rreth situatës politike në vend, duke u shprehur se shitblerja e votës në Shqipëri është bërë nga të gjitha partitë, por kjo sipas tij, nuk e ndryshon dot rezultatin e zgjedhjeve.
“Ka patur probleme me shitblerjen e votës? Po. A mund të ndryshonin këto rezultatin e zgjedhjeve? Jo. A është vetëm një subjekt me këto probleme? Jo. Votuesit kanë patur mundësi për të shprehur zgjedhjen e tyre, pasi e kanë vetë në dorë. Ndoshta për dikë 50 lek janë mjaftueshëm, por nuk i blen vetëm një subjekt. Gjatë protestës së të shtunës opozita ishte vetë përgjegjëse. Unë kritikoj përgjegjësit”, deklaroi ai. Më tej, numri dy i Prezencës së OSBE në Tiranë vuri në dukje faktin se të ashtuquajturat skandalet në Shqipëri nuk janë unike. Mesa duket duke patur parasysh opozitën dhe sulmet e saj,
Wilton theksoi se ne Shqipëri politika bën akuza jashtë realitetit dhe se denoncime të fenomeneve që ka bërë minoranca, sipas tij, janë të pranishme edhe në Europën Perëndimore, madje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Janë të njëjtë me Europën Perëndimore, SHBA etj. Kur shoh diçka të keqe në Shqipëri mund të them që 3 herë me të keqe e shoh në Angli. Dallimi është retorika politike në Shqipëri ka arritur jashtë realiteti. Politikanët këtu i thonë njëri-tjetrit gjëra që do i rrezikonin lirinë si vepër penale.
Drejtësia dhe media nuk po ofron mbrojtje”, u shpreh ai. Duke u ndalur tek protesta e opozitës e mbajtur në 16 shkurt, e cila degjeneroi në dhunë, zëvendësambasadori i OSBE-së në Tiranë theksoi se është e rëndësishme që në Shqipëri të ruhet stabiliteti. Madje, Wilton i kujtoi opozitës se kryeministri Edi Rama nuk është sikundër ata pretendojnë, pasi sipas tij, edhe i pari i qeverisë ishte i shqetësuar si për protestën e opozitës, ashtu edhe për protestën e studentëve. “Rama i patrazuar nga protesta e opozitës. Foli për kërpudhën dhe drekonte në bregdet. Unë e kam parë më shumë të shqetësuar dhe gati për dialog gjatë protestave të studentëve”, nënvizoi zëvendësambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton.