Një qytetare e Përmetit, që u prezantua si Marie Naqellari, denoncoi para kryeministrit Rama disa ish-zyrtarë të lartë të LSI-së, deri në nivel ministri, të cilët sipas saj i kanë kërkuar parà në këmbim të licencës për një linjë autobusësh.
Për shqetësimin e saj, Naqellari i rikujtoi Ramës se kishte këmbyer me të edhe disa mesazhe në vitin 2017, kur sipas saj, kryeministri e kishte këshilluar t’i drejtohej për të zgjidhur çështjen ministrit të Transportit, që në atë kohë ishte Sokol Dervishi.
Por, pikërisht ky i fundit – dëshmoi qytetarja, – i kishte kërkuar asaj parà. Ajo tha se nuk e kishte shumën që i ishte kërkuar, pasi i duhej të kujdesej për bashkëshortin e sëmurë.
Këto licenca, – tregoi Marie Naqellari, – ministri i atëhershëm Sokol Dervishi, që vinte nga radhët e LSI-së, “ia dha dy personave të tjerë në këmbim të 50 milionë lekëve”, pohoi ajo.
Në këtë histori, qytetarja përmendi edhe emra të tjerë zyrtarësh, përfshi këtu atë të Bahri Shaqirit, që gjithashtu i përket të njëjtës forcë politike.