Shtohen faktet se pas tentativave të opozitës për të destabilizuar vendin fshihet Moska. Dy ditë më parë ish-nëndrejtori i FBI, Mark Rossini dhe alarmin se Berisha ka kontakte me Moskën, ndërsa së fundmi po jepen sinjale se era ruse fryn edhe mbi presidentin Ilir Meta. Çdo ditë që kalon, shtohen të dhënat dhe bindja se dyshja Meta-Berisha po bëjnë gjithçka për të destabilizuar Shqipërinë e Ballkanin, me qëllim që të mos ndërpriten lidhjet ruse të Tiranë. Baza e NATO në Kuçovë, integrimi në BE dhe reforma në drejtësi do ndëshkojnë pinjollët e Moskës dhe tani këta po bëjnë ç’është e mundur që të mos ndodhë diçka e tillë.
Nëse analizohet me kujdes situata, duket qartë se presidenti Meta është krah Berishës. Kemi një krizë shumë të thellë politike dhe i vetmi reagim i Metës ishte për “Deutsche Ëelle”, ndërsa tani është zhdukur. Vendi ynë ka pasur shumë kriza dhe në 2010 ishte Bamir Topi që tentoi të ulë në tryezë palët, ndërsa në 2016 ishte Bujar Nishani. Meta nuk e deklaroi diçka të tillë, edhe pse u shpreh në 2017 se do jetë president mbi palët. Kjo tregon se Berisha-Meta janë arkitektët e destabilizimit të vendit. Mirëpo kujt i shërben një gjë e tillë? Padyshim vendeve që nuk i duan të mirën vendit. Ish-nëndrejtori i FBI tha se fshihen rusët pas gjithçkaje, ndërsa gazeta po tregon të tjera informacione që shtojnë këtë bindje.
Jehona e mediave ruse
Protesta e opozitës, djegia e mandateve dhe sulmet ndaj institucioneve kanë bërë jehonë në mediat ruse. Ajo që bie në sy është se agjencia e lajmeve ruse “Sputnik”, ka shkruar mbi 10 artikuj për këtë çështje, sidomos në gjuhën italiane dhe greke. Kjo agjenci është organi i qeverisë ruse dhe operon në rreth 30 gjuhë. Deri këtu duket normale, pasi gjithë mediat e huaja shkruan. Por nëse shihet me kujdes përmbajtja e shkrimeve, bie në sy së pari që më shumë bujë ka bërë deklarata e Ilir Metës për “Deutsche Welle”.
Ndonëse ishte një intervistë spontane, “Sputnik” i ka dhënë shumë rëndësi dhe i ka bërë jehonë kësaj interviste. Më pas në të gjithë artikujt e tjerë vihet në pah aksioni opozitar dhe theksohen arsyet që e shtynë atë deri këtu, duke renditur akuzat se qeveria “Rama” është e korruptuar, është e lidhur me krimin, ka blerë vota, etj. Në asnjë moment nuk pasqyrohen reagimet e kryeministrit, të institucioneve të rendit apo deputetëve socialistë. Në të gjitha artikujt zë vend Basha, Meta dhe u jepet më shumë rëndësi pjesëve ku nxihet qeveria. Kjo të bën të dyshosh se rusët nuk e duan këtë qeveri dhe po bëjnë gjithçka për ta rrëzuar e diskredituar. Po ashtu dhe mediat e tjera kanë qenë në të njëjtën linjë, si “politring.com”, “ura-inform.com”, etj.
Lidhjet e Metës dhe Berishës me Moskën
Gazeta e ka thanë disa herë se Meta e Berisha janë të influencuar nga rusët. SHBA po bën të gjitha tentativat që Serbia të njohë Kosovën, por ata kanë dalë kundër. Madje kanë lobuar dhe në opozitën e Kosovës që një gjë e tillë të mos pranohet. Goditja e dytë ndaj SHBA është përmes reformës në drejtësi, pasi si Meta, ashtu e Berisha e kanë sulmuar. Tjetër fakt është se Berisha ka pasur bashkëpunime me Millosheviçin dhe e ka ndihmuar me naftë, ndërsa Meta ka mik Nikola Gruevskin. Si Millosheviç, ashtu e Gruvski, ishin njerëzit e Rusisë në Ballkan. Moska përmes tyre kishte ndikim shumë të madh në rajonin tonë.
Për sa kohë sundonte Gruevski, Maqedonia ishte në ndikimin rus. Kur SHBA nisi aksionin për ta larguar, pati me dhjetra tentativa destabilizuese, njësoj si në Shqipëri. Të njëjtën gjë tentoi Putin dhe në Mal të Zi, por dhe aty ndërhyri SHBA dhe Mali i Zi u fut në NATO. Po ashtu SHBA ka bërë për vete presidentin serb Aleksandër Vuçiç, duke dobësuar ndikimin rus në Beograd. Për këtë arsye, Moska ka aktivizuar njerëzit e saj në Tiranë që të destabilizohet Shqipëria dhe përmes saj, më pas Kosova e vende të tjera. Skenarin destabilizues po e përdorin Berisha e Meta, duke treguar qartë se po ndihmohen nga rusët.
Por nëse ata vijnë në pushtet, po ashtu do bllokojnë lëvizjet e SHBA për njohjen e Kosovës nga Serbia. Po ashtu përmes tyre mund të shtrihet ndikimi dhe te partitë shqiptare në Maqedoni. Pra duket qartë se lëvizjet që po ndjek opozita me në krye Berishën e Metën, janë një plan i mirëmenduar rus. Përveç se synohet destabilizimi i Shqipërisë, kërkohet që përmes saj të destabilizohet Ballkani. Një tjetër element që e dëshmon këtë është dhe bllokimi i Gent Cakës nga Meta. Ky i fundit më pas nisi një fushatë dezinformimi me idenë se Rama po tenton të ndryshojë kufijtë e Ballkanit, duke çuar ujë te mulliri i Greqisë dhe Serbisë. Të gjithë treguesit thonë qartë se pas aksionit politik të opozitës fryn erë ruse. /Kliti Topalli