Ish-Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti Spartak Braho ka bindjen se këto protesta shënuan fundin e kësaj opozite dhe se ka ardhur koha e një opozite të re.
Në një intervistë dhënë për gazetën DITA, Braho ka sulmuar Berishën dhe ka zbuluar edhe çfarë fsheh në “çantën e tij të zezë”.
-Ju i drejtoheni Sali Berishës kur bie fjala për opozitën. Në krye të PD-së është Lulzim Basha dhe jo Berisha. Mos duhet korrigjuar paksa shënjestra juaj?
– E dija që do të më dilnit në këtë shteg. Pse PD-në e drejton Lulzim Basha? Jo mor jo! Në atë parti dhe për fat të keq në gjithë opozitën shqiptare ligjin vazhdon ta bëjë Saliu Berisha. Është për të ardhur keq që opozita aktuale vazhdon të tërhiqet nga hunda nga një zuzar, mbi të cilin rëndon një mal me krime.
– Në atë çantën tuaj emblematike çfarë keni tjetër për Berishën?
– Nuk është çanta. Një popull i tërë e tregon me gisht këtë njeri si përgjegjësin kryesor të shumë tragjedive gjatë tridhjetë viteve të fundit. Janë tridhjetë vjet! Ka ndodhur 97-a e 98-a, ka ndodhur Gërdeci e 21janari… Çfarë doni më? Ah, po! Ka edhe diçka tjetër, të përfolur, por ende ta pashpallur botërisht: janë ca dokumente që vërtetojnë shërbimin e tij të devotshëm ndaj shërbimeve sekrete serbo-jugosllave…
– Berisha ka qenë agjent i tyre?
– Po. Dhe vazhdon të jetë.
– Ju keni dokumente për këtë?
– Po. Do t’i botoj në një kohë të përshtatshme. Deklasifikimi dhe njohja e shumë dokumenteve serbo-jugosllave do ta vërtetojnë plotësisht këtë fakt. Jam i bindur për këtë. Destabilizimi që kërkon të bëjë Sali Berisha është në skenarin e kësaj agjenture. Ai e di fare mirë se çfarë e mundon më shumë në jetën e tij, prandaj dhe vazhdon me kokëfortësi në rrugën antikombëtare. Keq, shumë keq për të, por edhe për këtë popull që vuan pasojat e paranojave të tij antishqiptare. Mbase kjo sjellje aktuale e opozitës do të shënojnë dhe fundin e tij si politikan. Le të shpëtojë njëherë e mirë Shqipëria dhe opozita aktuale nga ky zuzar politik që i ka shkaktuar aq shumë gjëma këtij vendi prej tridhjetë vjetësh…