Procesi i vetingut duket se ka “fikur” motorët. Kjo pasi ritmet e procesit të vetingut kanë shënuar një rënie të dukshme gjatë dy muajve të parë të vitit. Për janarin dhe shkurtin, Komisioni i pavarur i Kualifikimit ka kaluar në sitë vetëm 16 gjyqtarë e prokurorë, përkatësisht 8 për secilin muaj.
Kështu që numri i seancave ka rënë ndjeshëm krahasuar me nëntorin dhe dhjetorin e vitit të shkuar, kur u kaluan në sitë përkatësisht nga 11 gjyqtarë e prokurorë. Në total numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kaluar në sitë në vitin e parë të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit po shkon rreth 100, shumë i ulët duke parë se numri total i magjistratëve që do t’i nënshtrohen vetingut është 802.
Por me gjithë ritmet e moderuar, shkarkimi i rreth gjysmës së magjistratëve të kaluar në sitë deri tani, ka pasur një efekt dramatik për vetë gjyqësorin, por veçanërisht për cilësinë e drejtësisë që marrin qytetarët. Shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Apelit i Bashkim Dedjas bëri që Gjykata Kushtetuese të mbetet pas asnjë gjyqtar, duke qenë se e vetmja anëtare që i mbijetoi procesit, Vitore Tusha, është me mandat të përfunduar.
Ndërkohë që edhe Gjykata e Lartë u reduktua në 4 anëtarë nga shkarkimet, numër që mund të ulet edhe më tej nëse apeli do të shkarkojë Edmond Islamajn. Mirëpo, boshatisja e këtyre gjykatave është kthyer në një problem të vërtetë jo vetëm për cilësinë e drejtësisë që u ofrohet qytetarëve, por edhe për funksionimin e shtetit, duke parë përplasjet e forta politike që kanë shpërthyer veçanërisht ditët e fundit.
Megjithatë, duke parë edhe ecurinë e vetingut sa i takon prokurorëve dhe gjyqtarëve të rretheve, mund të themi se shumë shpjet edhe këto gjykata do të jenë pa magjistratë, pasi shumica e tyre posedojnë pasuri të pajustifikuar. Madje, rasti më ekstrem vjen nga një studim i BIRN, sa i takon gjyqtarëve të administratives, ku 65% e gjyqtarëve gjykatave administrative, sipas kësaj media, nuk arrijnë ta justifikojnë pasurinë të paktën për një vit të deklarimit të tyre.
Pasuria e pajustifikuar nga të ardhurat neto evidentohet në 55 deklarata të Gjyqtarëve Administrativë ose në 9% të totalit të deklaratave të analizuara. Ajo kap një vlerë prej 110 milionë lekësh ose 15% të pasurisë totale të deklaruar. Listën e gjyqtarëve me probleme në justifikimin e pasurisë e kryeson Gjykata Administrative e Apelit me 21 deklarata. Ajo pasohet nga Gjykata Administrative e Gjirokastrës dhe më pas ajo e Tiranës.