Ish-ministri Lefter Koka ka dalë hapur kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Monika Kryemadhit, për të shkuar tek djegia e mandateve. Ashtu siç gazeta “SOT” e theksoi një ditë më parë se LSI nuk është e unifikuar në këtë vendim, ndryshe nga sa deklaroi Kryemadhi, sinjalin se deputetë të kësaj partie janë kundër vendimit për të djegur mandatin e ka dhënë pikërisht ligjvënësi i qarkut Durrës, Lefter Koka.
Përmes një statusi në rrjete sociale, deputeti Koka ka shpërthyer ditën e djeshme në akuza ndaj Berishës, duke e etiketuar këtë të fundit si personi që ka hedhur idenë për djegien e mandateve, por që për të është e papranueshme. Në këtë kontekst, Koka theksoi se nuk ka asnjë motiv për të djegur mandatin. “Opozita dje mori vendimin për të djegur mandatet e deputetit. Vendimi im i palëkundur është se unë nuk do të djeg mandatin e deputetit, që mijëra durrsakë më kanë besuar.
I zgjedhur prej vullnetit të bashkëqytetarëve të mi, për të ushtruar pushtetin legjislativ dhe të jem përfaqësuesi i tyre. Parimet e mia në 2 dekada te jetës sime politike janë udhëhequr vetëm nga interesi i qytetarëve. Janë ata që me kanë treguar gjithmonë cila është e drejta dhe e vërteta, janë ata bashkudhëtarët dhe udhërrëfyesit e mi. Ky nuk është një vendim thjeshte i LSI por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit”, deklaroi ai.
Koka: Berisha nuk më tërheq dot zvarrë
Deputeti i LSI, Lefter Koka vijoi më tej me akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i kujtuar se ai nuk nënshtrohet para asnjërit, pasi mandati i tij, i përket qytetarëve të Durrësit dhe jo krerëve të opozitës, apo partive. Në këtë kontekst, Koka theksoi se Berisha mund të tërheqë zvarrë LSI-në, por jo atë. Madje, deputeti nuk ngurroi që të sulmonte ish-kryeministrin kur deklaroi se mandatin e tij nuk mund ta përdorë kurrsesi Berisha për t’iu vënë zjarrin institucioneve të shtetit, sikundër ka bërë thirrje.
“Dhe nëse erdhi dita që Berisha të tërheqë zvarrë LSI, a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe unë i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë. Mandati im është besimi i mijëra qytetarëve. Është mandati i qytetarisë, kulturës dhe fisnikërisë durrsake , që as në ditët më të vështira të këtij qyteti nuk theu kurrë një xham. Mandati im nuk mund të përdoret assesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar”, u shpreh ai.
Koka: Nuk kam motiv të djeg mandatin
Po ditën e djeshme, gjatë një interviste për një media lokale, Koka është shprehur se nuk ka asnjë motiv për të djegur mandatin. Sipas tij, djegia e mandateve del kundër premtimit që iu ka dhënë votuesve në zonën ku është zgjedhur deputet. “Lidhur me arsyet e paraqitura nga Partia Demokratike për djegien e mandateve të deputetëve të saj, nuk më duken arsye për të djegur mandatin tim.
Vijoj të jem në krahë të subjektit politik që përfaqësoj dhe me çdo vendim që do të marrë, por vijoj t’i qëndroj besnik atyre që më kanë zgjedhur deri në këtë pikë”, deklaroi deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka. Megjithatë, mediat dje tentuan që të merrnin disa reagime nga “rebelët” e grupit parlamentar të LSI, por këta të fundit nuk preferuan të flisnin, duke lënë të nënkuptohet se gjatë këtyre ditëve do të kemi surpriza të tipit “Koka”.
Kjo edhe për faktin se përpara se një deputet duhet të shkojë në vendimin për të djegur mandatin, ai ose ajo më parë duhet të firmosë një deklaratë. Pra, duke qenë se deklarata është individuale dhe jo kolegjiale, vendimi për djegien e mandateve nga ana e deputetëve të LSI mund të prodhojë surpriza. /Rigels Seliman