Ylli Manjani një nga të akuzuarit për tenderat në Ministrin e Drejtësisë, i ngelur rrugëve pa asnjë strehë politike, i larguar nga të gjitha funksionet e LSI-së, ka marrë detyren e komentatorit të partisë duke komentuar qëndrimin e Lefter Kokës, pasi ky i fundit vendosi që të mos e djegë mandatin e deputetit, ndryshe nga sa vendosi LSI, duke i kërkuar që të mos bëhet tub oksigjeni i Edi Ramës. Manjani thotë se asnjëherë nuk është vonë që të dalë përtej qëndrimeve personale.
“Lefterit…
Lefter Koka është një shok i mirë dhe kontribues politik që nga themelimi në LSI.
Sinqerisht ende nuk e mendoj që LSI mund ta humbasë këtë kontribues.
Qëndrimi i tij personal, sigurisht është i papranueshëm dhe nuk mund të zhbëjë dot vendimin politik të Opozitës, përfshi këtu edhe LSI.
Ndoshta mungesa e komunikimit normal të LSI me Lefterin mund të ketë vështirësuar disi kuptueshmërinë e qëllimit të mirë të vendimit politik, për të mos qenë as fasadë dhe as tubi i oksigjenit të sundimtarëve të sotëm arrogantë.
Asnjëherë nuk është vonë për t’u ngritur mbi qëndrimet personale. Lefteri ka ditur të dalë mbi interesat personale. Shpresoj të vijojë ta bëjë…”, shkruan Manjani.
Kujtojmë se në reagimin e bërë dje nga ana e Kokës, sulmohej dhe ish-kryeministri Berisha, duke thënë se ai po tërheq zvarrë LSI-në.
“Ky nuk është një vendim thjeshte i Lëvizjes Socialiste për Integrim por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit. Dhe nese erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI , a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe une i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë.
Mandati im është besimi i mijëra qytetarëve. Është mandati i qytetarisë, kulturës dhe fisnikërisë durrsake , që as në ditët më të vështira të këtij qyteti nuk theu kurrë një xham. Qytetarët durrsakë kanë treguar në çdo kohë, se ata janë shembulli më i mirë i shoqërisë shqiptare. Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar”, shkruante ndër të tjera Koka.