Personat që dikur i kanë shërbyer ish-Sigurimit të Shtetit sot kanë depërtuar deri në sallën e Parlamentit. Pak ditë më parë u ndez një debat i madh për çështjen e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Bujar Sheshi, i cili rezultoi se në moshë të mitur ka qenë rekrutuar nga ish-Sigurimi i Shtetit. Por përveç administratës, ish-sigurimsa gjenden edhe në politikë. Një detaj i tillë është bërë i ditur nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë një shkëmbimi informacioni me Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë.
Sipas Autoritetit të Dosjeve, më shumë se tre deputetë që janë momentalisht pjesë e politikës rezultojnë të kenë qenë dikur të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit. Kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Nebil Çika deklaroi dje se përmes një shkrese kërkoi të dhëna nga AIDSSH mbi numri e deputetëve që mund te kenë pasur kontakte me Sigurimin. Autoriteti është shprehur se janë mbi 3 perona. Por sipas Çikës, deputetët ish-sigurimsa janë më të shumtë në numër, ndërsa kërkoi më shumë transparencë për dosjet e tyre. “Komisioni Bezhani, i cili ka pastruar figurat pas vitit 1997, u jepte certifikatat e pastërtisë. Ai i ka dhënë në shkelje të ligjit, në shkelje të të gjithë praktikës.
Dy persona rezultojnë të pastër, e ka një letër pastërtie, edhe pse në dosje vërtetohet veprimtaria e tyre kriminale me ish-Sigurimin e Shtetit”, tha Nebil Çika. Kreu i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve theksoi se gjendja me fshehjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit është e rëndë dhe se duhet bërë edhe më tepër transparencë publike. Problemi qëndron tek fakti që edhe pse Autoriteti i Dosjeve e ka si informacion se cilët janë deputetët që i kanë shërbyer ish-Sigurimit të Shtetit, ata refuzojnë të kryejnë verifikimin. Një liri të tillë ua jep ligji momental, i cili nuk është detyrues për deputetët që të kryejnë verifikim, por e lë atë në dëshirën e tyre.
Deri tani nga politikanët vetëm deputeti Myslim Murrizi ka marrë iniciativën ta kalojë këtë test dhe ka rezultuar i pastër, por më shumë se tre deputetë të tjerë ish-sigurimsa vijojnë të jenë pjesë e Parlamentit. Për t’i dhënë fund këtij problemi, Autoriteti i Dosjeve po përgatitet të propozojë në Kuvend ndryshime në ligjin aktual dhe ta bëjë atë detyrues për kryerjen e verifikimeve.
264 dosje me informacione për pushtetarët
Gazeta publikoi pak kohë më parë faktin se Autoriteti i Dosjeve ka në arkivin e tij plot 264 dosje vetëm për politikanët. Sipas raportit vjetor të Autoritetit, fondi është krijuar nga funksionimi i ligjit Nr.8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”.
Bëhet fjalë për komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”, të cilët u krijuan në vitin 1995, qëllimi i të cilëve ishte zbulimi i spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit në të gjitha funksionet e larta shtetërore e politikë. Pra, ligji në fjalë, kishte qëllim të verifikonte lidhjet me ish-Sigurimin duke filluar nga Presidenti, deputetët, ministrat, anëtarët e gjykatave kryesore të vendit, e deri tek ushtarakët apo kryebashkiakët dhe rektorët.
Këto dy komisione në atë kohë kanë grumbulluar 264 dosje për lidhjet e funksionarëve me ish-Sigurimin. Madje, në atë kohë Komisioni “Mezini” dhe “Bezhani” përjashtoi nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 shumë emra të njohur, pasi sipas tyre, kishin pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit./Mimoza Ibra