Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do të rrëzohet për shkak të taksës dhe Serbisë. Por, fundi i Ramush Haradinajt do të jetë nëse preket interesi i SHBA’së. Këtë deklaratë ai e ka dhënë kur ka folur në Parlament për 11 Vjetorin e Pavarësisë.
Kadri Veseli ka zgjedhur fjalimin e Përvjetorit të 11 të Pavarësisë për të treguar se kur do të rrëzohet Qeveria dhe bie Parlamenti. Ka thënë se shkohet në zgjedhje vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës, të SHBA’së e BE’së.
“Pra, Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës. Ky është qëndrimi im i vendosur”, ka thënë Veseli, në Parlament.
“Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-të dhe Bashkimi Europian”, ka shtuar ai.
Ky qëndrim i Veselit ka ardhur pasi SHBA po kërkon nga Kosova të hiqet taksa e vendosur ndaj produkteve serbe e boshnjake për t’i dhënë shans vazhdimit të bisedimeve me Serbinë.
Kadri Veseli ka folur edhe për këtë temë. I ka dërguar porosi Ramush Haradinajt të mos e personalizojë vendimmarrjen dhe t’i lë inatet.
“Në këtë proces, kalkulimet elektorale, qasjet individuale, protagonizmat dhe inatet – nuk po i bëjnë mirë Kosovës. Është koha t’i lëmë këto”, ka shtuar ai.
Ramush Haradinaj ka refuzuar të heqë taksën duke kushtëzuar me njohjen e Kosovës nga Serbia. Madje, ka thënë se s’ka presion që ia ndryshon mendjen.
Por, Veseli që kërkon pezullimin e taksës, ka thënë se me SHBA’në e BE’në në krah, Kosova është më e sigurte.
“Vendimmarrja shtetërore nuk duhet të jetë as përgjegjësi dhe as kritikë individuale. Në vendimmarrje shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra, edhe ky vendim, si çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror, institucional”, ka shtuar ai.