Ora për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion po afron. Edhe 4 ditë na ndajnë nga skadimi i afatit të vendosur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe më pas nisin procedurat për të ngritur Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale. Deri tani kanë shfaqur interes të jenë pjesë e SPAK vetëm 16 prokurorë, ndërsa shtyrja e afatit për aplikime u bë me qëllim që kandidaturat të jenë më të shumta në numër e të ketë mundësi përzgjedhjeje midis tyre. Por teksa data e fundit për aplikime po afron dhe do të mbyllet kjo fazë e parë,
Struktura e Posaçme Antikorrupsion pritet që të dominohet nga prokurorë dhe gjyqtarëve të Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo pasi mësohet se gjyqtarët dhe prokurorët e rretheve kanë refuzuar kandidimin, pasi aktualisht vetëm dy prej tyre kanë shfaqur interes. Sipas informacioneve, një nga arsyet se përse njerëzit e drejtësisë në rrethe kanë injoruar thirrjen për t’iu bashkuar SPAK, ka të bëjë me kriteret e që parashikon ligji. Në ligj thuhet se çdo person që do kandidojë për në SPAK, do i nënshtrohet kontrollit të figurës, pasurisë dhe karrierës. Më pas ai duhet që të japë pëlqim përmes një formulari për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.
Të njëjtën gjë bëjnë dhe anëtarët e afërt të familjes, duke hequr të drejtë nga privatësia. Pra, duket se ligji i kushtëzon ata. Ndërsa nga ana tjetër, një tjetër arsye që i ka dekurajuar ata ka të bëjë me procesin e vetingut. Duke qenë se prokurorët dhe gjykata e rretheve në disa raporte rezultojnë si të korruptuar, këtë të fundit i frikësohen kontrollit të trefishtë për ta. Megjithatë, për t’u ardhur në ndihmë këtyre të fundit ka qenë edhe SHBA dhe BE, të cilat përmes selive diplomatike kanë bërw thirrje që pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion duhet të bëhen edhe gjyqtarët dhe prokurorët e rretheve.
Përmes këtyre thirrje, ndërkombëtarët duan që të shohin figura të reja në sistemin e drejtësisë siç është SPAK, pasi deri më tani shumica që kanë shfaqur interes janë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria për Krimet e Rënda, të cilat kanë një eksperiencë më luftën kundër korrupsionit që për hir të së vërtetës jo se kanë pasur ndonjë rezultat të kënaqshëm.
Ja kush do ta luftojë korrupsionin
Me ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, flamurin e luftës kundër korrupsionit në nivele të larta do ta udhëheqin prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda. Teksa afati i fundit i aplikimeve po afron, ajo që bie në sy është se shumica e të interesuarve janë nga këto dy institucione. Deri këtu jemi shumë dakord, pasi këtë prokurorë dhe gjyqtarë kanë një eksperiencë në luftën ndaj këtij fenomeni.
Gjatë kohës kur kryeprokuror ishte Adriatik Llalla, institucioni i drejtuar prej tij kishte tagër që të hetonte korrupsionin. Ndërkohë që, në vitin 2017 këtë të drejtë e mori Prokuroria për Krimet e Rënda. Kështu që, thënë më troç me ngritjen e SPAK luftën kundër korrupsionit do ta bëjnë pikërisht këta njerëz që kanë eksperiencë, edhe pse deri më tani nuk kanë bërë ndonjë goditje të fortë, pasi i vetmi zyrtar i lartë që është burgosur ka qenë ish-ministri demokrat, Spiro Ksera.
Madje, shumë prej dosjeve që janë hetuar për korrupsion kanë ngecur nëpër sirtarët e gjykatave dhe prokurorive. Megjithatë, shpresat tek këta janë të mëdha, teksa i referohemi ligjit, i cili iu jep shumë benefite, duke filluara nga rrogat e larta, dietat dhe mbulimi i qerasë derti tek rruajtja fizike me truproja. Sidoqoftë, mbetët për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. /Rigels Seliman