Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar për protestën e opozitës, më 16 shkurt. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ambasada e SHBA i ka bërë thirrje opozitës të protestojë paqësisht, duke refuzuar dhunën ndaj njerëzve dhe pronës.
SHBA i jep të drejtë opozitës për të protestuar, duke sqaruar se kjo e drejtë ushtrohet shpesh edhe në Shtetet e Bashkuara, ndërsa shton se krerët e opozitës duhet të sigurohen që protesta të zhvillohet paqësisht dhe në mënyrë konstruktive.
“E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar për ndryshim pozitiv janë simbole të një shoqërie demokratike të lirë dhe të shëndetshme. Është një e drejtë që ushtrohet shpesh në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo e drejtë duhet ushtruar paqësisht.
Dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme. Ne iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përfshirë në protestën e së shtunës, dhe të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, të refuzojnë dhunën dhe të sigurohen që protestat të zhvillohen paqësisht dhe në mënyrë konstruktive”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.