Moderatori i emisionit “Top Talk” në Top Channel, Denis Dyrnjaja ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Top Show”, për të diskutuar mbi atë që ka qenë edhe tema kryesore e ditëve të fundit, rastin e efektivit të policisë në Malësinë e Madhe, që dyshohet se ka përndjekur një 15-vjeçare.
Dyrnjaja u ndal te deklaratat e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë ditës së sotme, ku tha se nuk ka ende një denoncues dhe se Policia e Shtetit është në pritje që të dalë personi që ka denoncuar ngjarjen.
Moderatori i emisionit ‘Top talk” i cilësoi tërësisht si jo profesionale deklaratat e ministrit, i cili sipas Dyrnjasë, me retorika të tilla i hedh më shumë benzinë zjarrit.
“Të dalë ministri sot dhe të thotë ‘ku është denoncuesi”, më duket një qasje aspak profesionale. Atë pyetje e bëjmë ne dhe institucioneve, me ministrin në krye, u takon të gjejnë ku është denoncuesi, nëse ka një të tillë, ndaj zoti Lleshaj nuk mund të dalë e të flasë me një retorikë të tillë, pasi i hedh më shumë benzinë zjarrit.
Pikërisht nga kjo lloj retorike përfitojnë më shumë media dhe politika, të cilat e shfrytëzojnë ngjarjen për qëllime të caktuara”, deklaroi Denis Dyrnjaja./TopChannel