Sistemi i drejtësisë gjendet në kolaps. Edhe pse me ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor u hodh një hap përpara, drejtësia vazhdon të jetë e “kapur” nga problemet. Përveç KLGJ, KLP, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, në Kushtetutën e re është parashikuar që të ngrihet edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. ILD është organi që herë pas herë inspekton punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vëzhgon problemet në dosjet dhe vendimet e tyre dhe merr masa ndëshkimore e disiplinore kur bien në kontakt me shkelje. Por në krijimin e kësaj strukture po hasen vështirësi.
Me shkrirjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shkri edhe Inspektorati i KLD dhe deri tani ILD nuk është ngritur akoma. Në këtë mënyrë, puna e gjyqtarëve dhe e prokurorëve është e lirë dhe në rast se ndodhin shkelje, ndaj tyre nuk merren dot masa pasi mungojnë inspektorët. Për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate, komisioni monitorues për ecurinë e reformës në drejtësi ka kërkuar që inspektorët e KLD të transferohen përkohësisht pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të vijohet me inspektimet ndaj punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në një raport të përgatitur për çështjen e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, komisioni monitorues i reformës ka kërkuar nga KLGJ që të krijohen të gjitha kushtet dhe hapësirat për atashimin e inspektorëve të KLD pranë kësaj strukture.
Kësisoj, zgjidhet problemi i krijuar dhe gjyqtarët e prokurorët nuk punojnë më të “shfrenuar” e pa kontroll pasi shkeljet e tyre mund të pikasen nga inspektorët. Por edhe pse komisioni monitorues i reformës ka shtruar një kërkesë para KLGJ, ky i fundit nuk ka ndërmarrë asnjë hap. Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka vendosur akoma nëse do të zbatohet ajo që kërkohet komisioni monitorues apo situata do të vijojë e njëjtë në pritje të krijimit të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Sipas informacioneve, një nga arsyet pse KLGJ po stepet që të krijojë kushte të përkohshme për inspektorët e KLD është hapësira dhe përplasja ligjore sepse në ligj nuk ka ndonjë përcaktim se çfarë ndodh me inspektorët e KLD në momentin që ky organ shkrihet.
Rihapja e garës për ILD
Ngritja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë është në dorë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. KED është organi që bën renditjen e kandidatëve, por deri tani nuk është bërë asnjë hap i tillë. Problemi qëndron tek fakti se mungojnë kandidatët për inspektorë pranë ILD.
Deri tani kanë shfaqur interes për të qenë pjesë e këtij organi vetëm Marsida Xhaferllari dhe Artur Malaj. Marsida Xhaferllari ka qenë inspektore edhe pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa Malaj vjen nga radhët e Gjykatës Administrative të Apelit. Gjyqtari Malaj e ka kaluar me sukses procesin e vetingut, por Marsida Xhaferllari nuk ka kaluar akoma në sitë. Përtej procesit të rivlerësimit, një tjetër problem që pengon ngritjen e ILD është numri i paktë i kandidatëve. Duke qenë se janë vetëm dy të interesuar, KED nuk bën dot renditjen dhe përzgjedhjen e tyre. Për këtë arsye komisioni monitorues i reformës në drejtësi ka kërkuar që të rihapet gara për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, me qëllim të regjistrohen më shumë aplikime.
“Komisioni i Pavarur rekomandon rihapjen menjëherë të garës për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, në kushtet kur kandidaturat e paraqitura janë nën minimumin e parashikuar nga Kushtetuta. Kushtetuta (neni 147/d, pika 4) parashikon që Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të zgjidhet nga një listë që përbën minimalisht pesë kandidatura”, thuhet në raportin e komisionit.
Mimoza Ibra