Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Saimir Tahirit për shqyrtimin e zgjatjes së afateve të hetimit. Lajmin e bëri të ditur vetë ish-ministri i Brendshëm, teksa foli në përfundim të seancës.
Tahiri u shpreh se çështjen e përplasjes me Prokurorinë nuk e sheh si lojë golash. I pyetur nëse do të rikthehet në politikë, ish-ministri u përgjigj se ka kohë për të gjitha, shkruan JavaNews.al
“Nuk e kam humbur durimin në asnjë moment, por besoj se kësaj maratone po i vjen fundi. Kjo histori nuk mund të zgjasë pa fund. Unë nuk e shoh si lojë golash, por si mundësinë time për të marrë drejtësinë që më takon. Kam mbajtur mbi kurriz akuza të rëndomta dhe skandaloze. Kur kjo ndodh me mua, merreni me mend çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë” – tha Saimir Tahiri.
Ish-ministri u pyet për prezencën e disa mbështetësve të tij në dyert e Gjykatës. Ai la të nënkuptohet se sikurse ka njerëz që e mbështesin, ka edhe nga ata që nuk e kanë dëgjuar, shkruan JavaNews.al
“Unë kam fatin që të ndjej mbështetjen e njerëzve që kanë besuar tek unë, sikurse njerëz që kam pasur besim dhe kam dashur t’i shpjegohem, por nuk më kanë dëgjuar. Për mua rendesi sot ka drejtësia” – përfundoi ish-ministri i Brendshëm.