Baza në lumin Patuxent në stacionin ajror të Maryland në Shtetet të Bashkuara rrallë pret vizitorë nga jashtë portave, sidomos gazetarë. Para se të hynin në bazë gazetarët u “çarmatosën” nga kamerat, laptopët, celularët, aparatet fotografikë, tabletët dhe çdo mjet tjetër elektronik. Kështu janë rregullat dhe askush nuk përjashtohet! Departamenti i Shtetit Amerikan mundësoi një vizitë jo të zakontë në këtë bazë për grupin e gazetarëve europian, i cili vizitoi bazën dhe bisedoi me drejtuesit e programit më të kushtueshëm në historinë e Amerikës.
Në stacionin ajror të Maryland-it punojnë rreth 900 persona me tre turne, shtatë ditë të javës. Këtu nuk ka ndarje midis ditës dhe natës. Forca e integruar e testimeve në lumin Patuxent fsheh me fanatizëm “bizhutë më të çmuara e më speciale të ushtrisë amerikanë”. Me të drejtë këta avionë quhen edhe “kompjuter fluturues”, për saktësinë dhe precizionin e lartë. Avionët luftarakë F-35 B dhe F-35 C konsiderohen si aviacioni i gjeneratës së pestë.
F-35 C është avioni luftarak më i kushtueshëm i prodhuar ndonjëherë në botë me vlerën 121.2 milionë dollar. Programi, është në fazën finale dhe rezultatet sipas drejtuesve më të lartë të bazës kanë tejkaluar pritshmëritë. Lockheed Martin F-35 Lightning II është një familje e aeroplanëve gjuajtës me një ulëse, një motor dhe të mbushur me armatim për të kryer sulme në tokë, zbulim dhe misione të mbrojtjes ajrore me aftësi të qëndrojë i fshehtë.
F-35 ka tre modele kryesore: F-35A, i cili është një variant me ngritje dhe ulje konvencionale, F-35B është variant me ngritje të shkurtër dhe ulje vertikale, dhe F-35C është një variant për aeroplanmbajtëse. Shtetet partnere janë ose anëtare të NATO-s ose aleatë të ngushtë të SHBA-së. Tetë shtete kanë bashkëfinancuar zhvillimin e kësaj arme, Britania e Madhe, Italia, Turqia, Kanadaja, Australia, Danimarka, Norvegjia dhe Holanda. Ata do të blejnë disa qindra njësi së bashku. Izraeli dhe Japonia kanë nënshkruar ndërkohë marrëveshje për të blerë njësi të tjera.
Përveç aftësisë së fluturimit, F-35 është e pajisur edhe me teknologjinë më të fundit të mbledhjes së informacionit dhe ka aftësinë për të “vjedhur” informacion, duke depërtuar aty ku nuk është e mundur depërtimi. I quajtur “Rrufeja II” në nder të luftëtarit supersonik të fluturimit britanik gjatë epokës së hershme të Luftës së Ftohtë, F-35 mund të fluturojë pothuajse dyfishi i shpejtësisë së zërit dhe aftësia e tij “grabitqare” i mundëson të depërtojë thellë në territorin e armikut pa u gjurmuar nga radarët e tij. “Faktori i marifetit do të thotë që ju mund të zbuloni avionët e armikut, por ata nuk mund t’ju zbulojnë”, tha kryeinxhinieri.
“I testojmë këta avionë për të qenë të pathyeshëm. Praktikisht janë ndërtuar me dorë. U bëjmë të gjitha manovrat dhe simulimet e nevojshme. Këta avionë janë të pajisur me sensorë unik, motori i tyre është i jashtëzakonshëm dhe shumë i fuqishëm, do të numëroni 11 vende nga ky del armatimi” shton kryeinxhinieri plot krenari amerikane.
Këta avionë përfshijnë një helmet të projektuar posaçërisht që i jep pilotit një pamje me kënd 350 gradë rreth avionit thjesht duke e përkulur kokën, ndërkohë që kabineti është i mbushur me multiekrane që i mundësojnë pilotit të mbledhë dhe vlerësojë inteligjencën e mbledhur nga sensorë të avancuar të avionit të cilat përcaktojnë se cilat shënjestra do të sulmojnë. Përmban rreth tetë milionë rreshta të kodit të software, me shumë nga të gjithë avionët më të avancuar luftarakë të fluturuar ndonjëherë nga ushtria amerikane dhe britanike.
Kompania Lockheed Martin po teston gjeneratën e pestë të avionëve F-35 në këtë bazë ajrore. Bëhet fjalë për modelin F-35C, një “monster” qiellore që pritet t’i shtohet flotës ajrore amerikane këtë vit. Avioni është i pajisur me “receptorë” që nuhasin dhe paralizojnë kërcënimin shumë më shpejt se avionët e tjerë.
Avioni F-35C është në gjendje që përmes një sistemi të përparuar teknologjik të futet në sistemin e avionëve kundërshtarë dhe që aty të lexojë gjithë veprimet.
Ndërkohë që Evropa është e ekspozuar ndaj kërcënimeve të reja, është më e rëndësishme se kurrë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO të përdorin avionët unikë të gjeneratës së pestë të tipit F-35C.
Ndërsa çdo avion është dizajnuar në mënyrë unike për të vepruar në mjedise dhe klimë të ndryshme, të treja variantet kanë vendosur standarde të reja në sistemet e misionit të mundësuara nga rrjeti, bashkimi i sensorëve dhe mbështetja. F-35 i jep një kuptim tjetër luftëtarit multidimensional. Këta avionë për herë të parë në historinë e aviacionit në SHBA, kanë aftësinë e shmangies nga radari dhe vjedhurazi ulen në kuvertën e transportuesit.
Variantet e transportuesit F-35C përcaktojnë standarde të reja në integrimin e sistemit të armëve, mirëmbajtjes, dhe ngarkesës që sjell fuqi të vërtetë multimisionare me aftësi projektimi nga deti. Jo vetëm kaq, por ky avion u dërgon avionëve të tjerë “miq” të dhënat mbi kërcënime të mundshme duke krijuar kështu një përparësi thelbësore në një betejë ajrore” Kështu u shpreh para gazetarëve europianë kryeinxhinieri i grupit të punës së programit F-35 Lightning II, Andrew Maack. Maack shtoi se kanë përfunduar të gjitha testimet për uljen vertikale të avioni F-35B, i cili ka aftësinë të shkëputet në pista në kohë rekord dhe të bëjë ulje në të edhe në kushte ekstreme të motit.
“Avionët tanë provojnë çdo “torturë”, bëjmë gjithçka në lidhje me testet e uljes vertikale madje edhe në kushte të ndryshme klimaterike”. Aktualisht numërohen mbi 265 avionë supersonik F-35 B dhe F-35 C, të cilët janë tashmë janë pjesë e Forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe pjesë e Marinës Mbretërore Britanike së fundmi edhe Italisë. “Bishat e qiellit” pilotohen nga 560 pilotë të përzgjedhur profesionalisht, të cilëve iu besohen “makineritë” më të shtrenjta të ajrit. Në total të tre variantet e avionëve F-35 numërojnë mbi 120.000 orë fluturimi. “Nëse je pilot dhe fluturon me një variant të avionit F-35 atëherë je plotësisht i aftë të drejtosh të tre variantet e tij”, thotë kryeinxhinieri Maack.
Tashmë nuk është më sekret. Të paktën shtatë vende europiane po planifikojnë të blejnë avionët e gjeneratës së pestë F- 35. Mbi 500 avionë të tillë do të blihen nga aleatët. Vlerësohet se avionët e rinj do i japin Europës kapacitet të rëndësishëm luftarak që do i mundësojë kontinentit të luajë një rol më të madh përballë strategjisë ruse të quajtur “A2AD”.
Kostoja e prodhimit të njërit prej tyre shkon për F-35 A, në rreth 95.3 milionë dollarë, ndërsa programi në total edhe për vitet pasaardhëse kap vlerën e 1.508 trilionë dollarëve. Sipas planit të modernizimit të zyrtarëve më të lartë të Pentagonit, synohet që brenda vitit 2040, ky avion të jetë avioni kryesor në ushtrinë e SHBA-së. Me implementimet dhe përmirësimet e fundit, qëllimi i kompanisë Lockheed Martin është reduktimi i kostos së avionit luftarak F-35A në 80 milionë dollarë deri në vitin 2020.
Investimi në perfeksionim të avionëve luftarakë është investim në sigurinë e së ardhmes. Kostoja për F-35B shkon në rreth 122.4 milion $; ndërsa vlera për avionin F-35C është 121.2 milion $. Kompania “Lockheed Martin” ka një shtrirje mbarë botërore në 14 baza ajrore me rreth 5600 vetë si staf teknik dhe mirëmbajtës.Të ashtuquajturit “Avionë fenomenale” F-35 B dhe F-35 C do “shkruajnë” historinë e sigurisë të së ardhmes së qiejve të Amerikës dhe të kontinentit Europian./Aurora GOLEMI (e dërguara speciale e “News24” në Washington D.C