Nisur nga shqetësimi i një qytetari, i cili iu drejtua bashkëqeverisjes për të zgjidhur problemin që kishte me automjetin e tij, Kryeministri Rama lajmëroi rishikimin e vendimit për ndalimin e importit të makinave të përdorura me vit prodhimi para 2008-s, i cili hyri në fuqi më 2 Dhjetor të vitit të kaluar. Kreu i qeverisë tha se kishte marrë një mori ankesash nga tregtarët e makinave, për efektet që ka dhënë kjo nismë.
“I kam ndjekur me shumë vëmendje këto ankesa dhe ua kam përcjellë autoriteteve, Ministres së Infrastrukturës dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Transporteve dhe u kam kërkuar të organizojnë sa më parë një dëgjesë publike, pasi në ankesat e tyre ka shqetësim, por ka edhe mjaft sugjerime racionale dhe në vazhdën e një tradite që duam ta konsolidojmë të dëgjimit të njerëzve, të grupeve të interesit. Ia vlen që me këto subjekte të bëhet një ballafaqim ku të fitojnë të dyja palët”.
Nga kriteret e reja të importit përjashtohen vetëm makinat me vlerë muzeale. Ndërsa makinat të cilat kanë hyrë në vend para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 Mars 2019 për vendosjen e targave. Në takimin e radhës me qytetarët që kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre, Rama foli për një reformë të thellë në sistemin e regjistrimit të pronave.