Nga Armand Plaka
Dikur ato emociononin çdo mashkull në Shqipërinë super të izoluar e pavarësisht emërimit zyrtar të agjensisë, njiheshin si ALBANIA.
Kryenin një volum vërtetë të madh transporti dhe puna me to u besohej vetëm personave tepër të aftë profesionalisht dhe mbi të gjitha: të sprovuar nga biografia.
Foto që po sjell në këtë postim na ofron dy kamionë të tipit “Skoda RT 706” me rimorkio ndërsa presin të shkarkohen në magazinat e agjensisë vjeneze “Fruchtunion”, e cila rëndom furnizonte tregun austriak me prodhime vendore bujqësore shqiptare e ballkanase. Foto daton nga qershori i vitit 1969.
Nga disa hulumtime më rezulton se Shqipëria paskësh qenë e fundit që e kishte nënshkruar marrëveshjen për TIR-in, ( Marrvëshja për Transportin Ndërkombëtar) në vitin 1973, e në marrëveshje në fillim shkruhej ANAL-TIR, e më vonë u bë “Albtrans” apo siç njihej më thjeshtë: ALBANIA.
Kamionët e parë ishin të tipit që shihet në foton e marrë në 1969, e nga mesi i viteve ’70-të, flota e automjeteve të transportit nisi të kompletohej me “Scania”-t suedeze.
Në fillim të viteve ’80-të kishte në përdorim gjithsesi “Skoda” të tipit “Liaz” dhe “Scania” të disa modeleve. Por transporti nuk kryhej vetëm në drejtimin Shqipëri drejt një vendi të Europës Perëndimore apo Lindore qoftë, por edhe duke kryer e marrë përsipër kontrata që shkonin përtej këtij itinerari.
Kështu të paktën rezulton se “Albtransport”-i në vitin 1986, kishte fituar tashmë një kontratë ( tender) të leverdisshëm për të transportuar mish nga Gjermania në Austri dhe nga Franca në Irak, e për ta përmbushur këtë detyrë, Agjensia Shqiptare mori madje në dispozicion të saj edhe disa tipa të përdorur nga Agjensia Hungareze e Transportit Ndërkombëtar, “Hungarocamion” (1628 dhe 1632 NG).
Logoja e kësaj të fundit shihej shpesh në rrugët e Shqipërisë së kohës së monizmit, ndërsa kamionët e saj kalonin tranzit apo e përdornin si destinacion vendin tonë për t’u furnizuar me prodhimet shqiptare.
Ndërkaq, koha ime e studimeve në Berlin, më lidh edhe me një kujtim të vogël të shumë viteve më parë ( mund të ketë qenë viti 2002) ndërsa kisha shkuar për një vizitë mjekësore rutinore në ish-Berlinin Lindor.
Mjekja më pyeti se nga vija, dhe pasi iu përgjigja, më pohoi se nga Shqipëria mbante mend vetëm kavanozët me kastraveca turshi, të cilat sigurisht se do kenë qenë transportuar pikërisht nga këta kamionë./Njekomb/