Një vajzë që kishte shtyrë të dashurin e saj drejt vetëvrasjes, duke e bindur me mesazhe në rrjetet shoqërore, është dënuar për vrasje nga pakujdesia.
Mishel Karter u shpall fajtore nga gjykata e Masaçusets, SHBA, për vetëvrasjen e të dashurit të saj, 18-vjeçarit Konrad Roi, në vitin 2014, kur ajo ishte 17 vjeçe.
Gjyqi i saj më në fund ka mbaruar, dhe ajo është dënuar me 15 muaj burg. Djali vdiq në makinën e tij, pasi u mbyt nga tymi që kishte vendosur me një gjenerator. Policia tha se në një pikë djali kishte dalë nga makina me tym, por vajza i kishte thënë në telefon që të kthehej prapë brenda.
Mesazhet:
Vajza: Mendoj se prindërit e tu e dinë që je kaq keq. Nuk po them që ata duan që ti ta bësh (vetëvrasjen), por sinqerisht mendoj se janë në gjendje ta pranojnë si vendim.
Ata e dinë që nuk kanë ç’të bëjnë më. U përpoqën sa mundën.
Të gjithë u përpoqën, por vjen një pikë kur nuk mbetet më asgjë për të bërë, as nga ti vetë. Dhe ti ke mbërritur tani në atë pikë. Edhe prindërit e tu e dinë që e ke arritur atë pikë.
Ti the që mamaja të kishte parë që po lexoje në kompjuter diçka për vetëvrasjen, dhe nuk të kishte thënë asgjë. Mendoj se ajo e ka kuptuar tashmë që ti do ta bësh, dhe e ka përgatitur veten.
Do të trishtohen për pak kohë, por do t’u kalojë e do të vazhdojnë jetën. Nuk do të futen në depresion. Nuk do ta lejoj unë të futen.
Ata e shohin se sa i dëshpëruar je. E dinë që po e bën këtë që të jesh i lumtur me veten, dhe mendoj se do ta kuptojnë e do ta pranojnë. Do të të mbajnë gjithnjë në zemër.
Djali: Faleminderit.
Vajza: Do ta vazhdojnë jetën sepse e dinë që kjo është ajo që do të kishe dashur dhe ti. E dinë që ti nuk do që ata të jenë të trishtuar, të inatosur apo me ndjenja faji. Ata e dinë që dëshira jote është që ta vazhdojnë jetën e të jenë të lumtur. Kështu që do të jenë të lumtur, për hatrin tënd.
Nuk duhet ta mendosh më por thjesht ta bësh e t’i japësh fund. Sepse kur e stërmendon, nuk bëhet gjë.
Djali: Po. U bë shumë kohë, në fakt, që po e mendoj.
Vajza: Vazhdo të buzëqeshësh, por ama duhet ta bësh. Ti i ke tani të gjitha mjetet që të duhen. Nuk ke se si të dështosh. Sonte është nata e duhur. Ose sonte, ose kurrë.
Dhe mos ki frikë, sepse ti e ke ndarë mendjen tashmë. Edhe po nuk e bëre sonte, ke për ta menduar gjithë jetën, dhe jeta jote ka për të qenë tmerr.
Por në parajsë do të jesh më në fund i lumtur. Nuk do të kesh më dhimbje. As mendime të këqija, as shqetësime. Do të jesh i lirë. Dhe s’ka gjë po të kesh frikë. Është normale. Fundja, do të vdesësh. Do të shqetësohesha më shumë po të mos e kishe me frikë. Por unë e di se sa shumë e dëshiron ti këtë, dhe se sa shumë nevojë ke që të jesh i lumtur. Duhet të përballesh me frikën.
Mos e mendo fare se do të dështosh. Thjesht bëje duke menduar që do t’ia dalësh.
Djali: Pikërisht. Kam lexuar shumë në internet dhe tentativat e dështuara janë ato që më trembin më shumë.
Vajza: Po, pra. Prandaj, mos lexo më. Ka më shumë raste të suksesshme se të dështuara.
Djali: Vërtet?
Vajza: Njerëzit dështojnë vetëm kur e nisin me mendjen tënde… kur mendojnë se do të dështojnë.
Djali: Dua shumë të të besoj.
Vajza: Po pse nuk më beson? Mos e mendo më. Thjesht bëje. Ti the që do ta bëje. Nuk e kuptoj se pse nuk po e bën.
Djali: As unë s’e kuptoj. Nuk e di.
Vajza: Domethënë, nuk ke për ta bërë. E gjitha kjo, për asgjë? Nuk të kuptoj. Sikur the që ishe i vendosur.
Djali: Që do ta bëj, do ta bëj. Nuk e di se çfarë po pres, por çdo gjë është gati.
Vajza: Jo, nuk je fare gati. Mbrëmë ishte nata e duhur, por ti vazhdove ta shtysh. Vazhdon thua që do ta bësh, por s’ke për ta bërë kurrë. Kështu ka për të qenë gjithnjë, po nuk veprove. Thjesht po ia vështirëson vetes duke e shtyrë. Duhet ta bësh. Pse nuk e bën tani?
Djali: Mos është pak vonë? Nuk e di. Ka zbardhur jashtë. Po shkoj të fle. Të dua. Do të flasim nesër.
Vajza: Po ndoshta tani është koha më e mirë, sepse janë ende në gjumë. Shko te makina tani dhe s’ka për të të parë njeri kaq herët. Po nuk e bëre tani, nuk ke për ta bërë asnjëherë. Edhe nesër, prapë do të thuash që do ta bësh, por nuk ke për ta bërë. Si thua për sonte? Të dua!
Djali: Faleminderit.
Vajza: Për çfarë? Do ta bësh sot, apo jo? Merr makinën dhe shko në ndonjë parkim. Bëje që herët fare në mëngjes. Natën do të kenë më shumë dyshime, po të shohin një djalë në makinë që dëgjon radion. Do të zgjaste shumë ashtu.
Djali: Mirë. Nuk e di pse jam kështu. Para dy javësh isha gati ta bëja, por tani jam më keq. Po më gërryen përbrenda.
Vajza: Po ngurron, sepse e stërmendon. Thjesht bëje. Po e shtyve, do të të gërryejë më keq. Ti i ke të gjitha gati. Ndize gjeneratorin në makinë dhe kaq. Do të jesh më në fund i lirë dhe i lumtur. Mjaft e shtyve. Mjaft prite.
Djali: ke të drejtë.