“Ju lutem me shpirt, mos më plagosni për së dyti”. Më këto fjalë iu drejtua në daljen e parë publike, babai i vajzës së mitur nga Kavaja, medias dhe politikanëve që për ditë me radhë e përdorën historinë e vajzës së tij për konsumin banal të politikës së ditës.
Shfaqja me zë dhë me figurë është një akt kurajoz, i dy prindërve të revoltuar, me shpirtin sjellë në majë të hundës (siç i thonë një shprehje), nga një lukuni qensh që për ditë të tëra janë ushqyer me tragjedinë e familjes së tij.
Që nga Sali Berisha, deri te gratë shpirtngushta të PD dhe LSI-së që menduan se trauma e një vajze të mitur, të dhunuar, mund të jetë një çështje, me përdorimin publik të së cilës mund të kompensojnë shterpësinë e tyre politike.
Babai sot bëri një thirrje për ta lënë të qetë, një thirrje e detyruar nga një valë e paimagjinueshme presioni publik, të ngritur nga njerëz që provuan se sa të pashpirt mund të jenë, kur vjen puna për pak më shumë vëmendje dhe përfitim politik.
Thirrja e babait është një lutje, por në vetvete edhe një revoltë, e një prindi që disa të marrë nga politika dhe media, nuk e lejuan ta përballonte hallin e vet, pa peshën e rëndë te skenareve politiko-mediatike.
Për të gjithë nihilistët, të mësuar për të marë në gojë dhe denigruar deri në pikën e fundit njerëz të pafajshëm, kjo dalje publike mund të ketë qënë e papritur, në një vend ku janë mësuar të dhunojnë pafundësisht, të godasin dhe vrasin me fjalë. Të njëjtët të pashpirtë të politikës, e detyruan këtë zotëri që të dalë publikisht dhe të kërkojë ta lënë të qetë.
Një thirrje kaq e përulur, e qytetëruar, e njerëzishme, e një prindi të zënë ngushtë nga kamikazë politikë që deshën ta hidhnin familjen e tij në erë, duhet t’i bëjë këta të fundit të kuptojnë se sa të vegjël janë! Në mendje, në shpirt dhe në gjithë sa përfaqësojnë…