Nga Carlo Bollino
Historia tragjike e dhunës mbi një vajzë të vogël nga Kavaja nga ana e tetë bashkëmoshatarëve të saj është bankoprovë për të matur pjekurinë e shtypit. Një pjesë e politikës tashmë ka dështuar në detyrimin ligjor dhe civil për të mbrojtur me çdo kusht identitetin e viktimës dhe të protagonistëve të tjerë. Ish-kryeministri Sali Berisha, në fakt, ishte i pari që shpërndau në Facebook emrin e shkollës së Kavajës, që frekuentonte viktima dhe disa prej përdhunuesve të saj: një detaj sensibël, të cilin edhe Gjykata e të Miturve nuk e përmend në dokumentat e saj, pikërisht për të shmangur identifikimin e nxënësve të përfshirë në këtë ngjarje. Pastaj Elisa Spiropali shpërndau një video të një takimi të saj me prindërit e vajzës, që u kërkonin gazetarëve respektimin e privatësisë. Me zë dhe figurë.
Duke u përpjekur për të sjellë si shembull më të keqen e shoqërisë dhe kurrë për të dhënë shembullin më të mirë, disa gazetarë nxituan të publikonin online dhe të lexonin në studiot televizive dosjen e Gjykatës, duke përhapur një seri tjetër detajesh, të dhimbshme për protagonistët dhe disa herë edhe të turpshme. Mesa duket, ngjarjet e mëparshme të tilla, nuk kanë bërë të vënë mend gazetarë dhe media që vazhdojnë të përsërisin të njëjtin gabim. Pas vrapit për dokumenta “ekskluzivë”, më pas vijoi ai për dëshmitarët: familjarët e përdhunuesve kanë filluar tashmë të dorëzohen përballë kërkesave për intervista televizive, jo vetëm duke kontribuar kështu në identifikimin e fëmijëve të tyre, por duke hedhur edhe baltë tjetër mbi viktimën. Pasi, si në çdo proces për abuzime seksuale, loja e masakrimit tashmë ka filluar dhe përdhunuesit do të bëjnë gjithshka për të bindur të tjerët se, në të vërtetë, fajtore ishte vajza. Kjo është faza më e tmerrshme e procesit dhe për miturën që pati kurajon ta denoncojë të gjithë këtë do të jetë që tani e vështirë ta kapërcejë në fshehtësinë e një salle gjyqi. Por do të jetë shkatërruese për të dhe familjen e saj nëse kjo lojë e egër do të bëhet publikisht, nëpër studio televizionesh apo në portalet online.
Ne, gazetarët, të paktën këtë herë le të provojmë të tregojmë se jemi më të mirë se çakejtë e politikës dhe të mos pranojmë të publikojmë detaje e dëshmi mbi këtë ngjarje: ne të Shqiptarja.com dhe Report TV kemi vendosur të ndjekim këtë linjë dhe do të vazhdojmë të mos publikojmë asnjë detaj mbi ngjarjen, përtej informacioneve që institucionet kompetente do të gjykojnë të domosdoshme t’i bëjnë publike. Që sot, mbi ngjarjen e Kavajës, nisim të zbatojmë heshtjen e shtypit, një praktikë qytetarie, e cila aplikohet çdo herë që e drejta e mbrojtjes së viktimave e tejkalon detyrimin për të informuar. Shpresojmë të mos mbetemi të vetmit.