Gjykata e Apelit të Kri.meve të Rënda rrëzon dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i provuar si fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 pranë plazhit “Iliria” në Durrës. Pak kohë më parë ishte Gjykata e Lartë që ktheu dosjen për rigjykim në Apel për shkelje procedurale.
Gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda e kishte dënuar Dritan Dajtin në vitin 2014 me 4 dënime përjetë pas 276 seancave. Por me vendimin e sotëm të Apelit, ku është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar, dënimi i përjetshëm bie dhe Dajti dënohet përfundimisht me 25 vite burg.
Shqiptarja.com mëson emrat e pesë gjyqtarëve që vendosën të dënojnë me 25 vite burgim Dritan Dajtin, duke prishur kështu vendimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Kryetar i trupit gjykues në procesin gjyqësor kundër Dajtit ishte Fuat Vjerdha, i cili rezulton të jetë dhe kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër. Ndërsa dy anëtarët Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolli, janë gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Shkodër. Pesëshja e gjyqtarëve plotësohej dhe me dy gjyqtarë të tjerë Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët janë gjyqtarë të Apelit në Vlorë
Dritan Dajti prej vitit 2009 qëndron në paraburgim, ndërsa seancat në ngarkim të tij janë zvarritur vazhdimisht. Teksa ka kaluar 10 vite në qeli që prej arrestimit nga policia për vrasjen e katër efektivëve specialë të cilët shkuan për ta arrestuar, Dritan Dajtit i mbetet të kalojë pas hekurave edhe rreth 10 vite burg. Kjo pasi qëndrimi në paraburgim përllogaritet një ditë e gjysmë, dhe vetëm në momentin kur dënimi merr formë të prerë nga gjykata qëndrimi në qeli merr përllogaritje standarde.
Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.
Deri në momentin e arrestimit pak minuta pas masakrës ku mbeti edhe vetë i plagosur, Dritan Dajti kishte qenë në liri pas arratisë nga Gjykata e Tiranës në verë të vitit 2004.