Kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka folur sot për herë të parë pas skandalit me pesë tenderat abuzivë në Ministrinë e Drejtësisë.
Skandali me tenderat, ku një ndër to ishte dhe ai i byzylykëve për të dënuarit me arrest shtëpie, në Ministrinë e Drejtësisë ka ndodhur në kohën kur Vasili ka drejtuar këtë ministri.
Ky skandal përfshin 8 persona, mes të cilëve në verifikim janë Petrit Vasili dhe ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë Rama 1, Ylli Manjani.
Gjatë seancës së sotme parlamentare, Petrit Vasili nuk ka thënë asgjë në lidhje me këto tendera, por ka folur për kufijtë e Kosovës.
“Qeverisja sot është para një faji të madh, pse pengohet? Çfarë problemi ka Kryeministri dhe qeveria, që të jetë e qartë për çështjen e kufijve të Kosovës?
Kancelarja Merkel e tha se nuk duhet të preken kufijtë, pse kryeministri shqiptar hesht.”-u shpreh deputeti i LSI-së.