Asambleja e Pedagogëve të Filologjikut dhe ajo e Shkencave Sociale kanë vendosur të thyejnë grevën dhe të rinisin procesin mësimor. Në Fakultetin e Histori-Filologjisë protesta do të vijojë një ditë në javë, ndërsa nga e hëna e javës së ardhshme mësimi do rinisë rregullisht. Dekani i Filologjikut, Sabri Laçi, tha se ditën e hënë të javës që vjen do të vijohet me bojkot dhe protestë, ndërsa të martën do të rikthehen në auditorë. Ndërkohë që më pas protesta do të vijojë njëherë në javë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Sot, nesër dhe pasnesër protestë në mjediset e fakultetit, do të thotë se do të jemi të gjithë në institucion, por duke mos bërë mësim. Do ta përvijojmë këtë formë proteste një ditë në javë. Të hënën e javës së ardhshme sërish protestë, të martën më pas e do të vijojë mësimi. Por protesta do të jetë një ditë në javë pa limit deri sa të gjejmë zgjidhje për respektimin e autonomisë universitare, lirisë akademike dhe zgjidhjen e problemeve të tjera që ndërthuren me ligjin e arsimit të lartë”, tha ai.
Edhe Fakulteti i Shkencave Sociale ka njoftuar dje studentët për rinisjen e mësimit. Pas grevës treditore, pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale, kanë vendosur të vazhdojnë protestën në forma të tjera. Ndërprerja e grevës treditore sipas tyre, ka të bëjë me studentët për të mos humbur kështu vitin akademik 2018-2019. Asambleja e këtij fakulteti ka vendosur nisjen e një peticioni të përbashkët me studentë, pedagogë dhe qytetarë drejtuar qeverisë shqiptarëve për shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë, koordinimin e veprimeve me pedagogë të fakulteteve të tjera dhe universiteteve të tjera për vijuar kundërshtimin e ligjit si dhe përshkallëzimin e hapave ligjorë deri në një referendum kombëtar.
Rektorët kundër UT
Dje ka dalë në pah se pedagogët nuk janë të gjithë në një mëndje sa i takon cilësisë në universitet dhe bojkotit të mësimit. Në Komisionin e Medias u zhvillua seanca dëgjimore me rektorët dhe dekanët e universiteteve të ndryshme, ku në fokus ishte protesta e studentëve dhe vendimet e marra nga qeveria. Për një pjesë të madhe të universiteteve mësimi ka filluar normalisht. Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Roland Zisi u shpreh se mësimi nuk është ndërprerë asnjë ditë, pasi ishin një grup i vogël studentësh të cilët protestuan, ndërkohë që pjesa tjetër e studentëve ishin në auditorë.
Ai tha se studentët po përfitojnë nga benefitet që dolën nga VKM-të, duke shtuar se qeveria ka mbështetur Universitetin e Vlorës për ngritjen e Fakultetit të Infermierisë, ku u ka dhënë 6000m truall në funksion të kësaj godine. “Pedagogët dhe studentët e Universitetit të Vlorës vijojnë kalendarin mësimor normalisht. Muaji dhjetor ka pasur një protestë disa ditore nga një grup i vogël studentësh ndërkohë që pjesa tjetër e studentëve vijonin mësimin. Në Universitetin e Vlorës do të ngrihet edhe Fakulteti i Infermierisë.
Hapin e parë qeveria shqiptare e ka bërë, ku në funksion të kësaj godine i ka dhënë 6000m truall sipërfaqe. Studentët do përfitojnë të gjitha benefitet e përfituara nga VKM”, u shpreh Zisi. Po në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe rektori i Universitetit “Eqerem Çabej”, Bektash Mema, i cili tha se mësimi po zhvillohet normal dhe përfaqësia e studentëve paraqitet pranë rektoratit për ecurinë e kërkesave të tyre.
Mynyr Koni mbështet grevën e pedagogëve
Por kundra rektorëve të tjerë ka dalë rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, i cili tha se mbështet protestën e studentëve dhe grevën e Asamblesë së Pedagogëve. Ai u shpreh se ka një fond shumë të vogël nga qeveria për kërkimet shkencore, ku tha se gjendja financiare në universitet është e vogël. “Kërkesat e studentëve i mbështesim dhe kemi ofruar bashkëpunim. Unë personalisht si rektor të gjithë qëndrimet e asambleve i mbështesë për shkak se kërkesat e Asambleve kryesore kanë marrë në analizë situatën dhe janë shprehur me kërkesa.
Kërkimi shkencor lë për të dëshiruar për shkak të mungesës së një fondi të caktuar. Sa i përket gjendjes financiare të Universitetit të Tiranës, UT ka një buxhet shumë të vogël për pagat që mbulohej me tarifat e studentëve dhe kam kërkuar në këtë komision që të mbulohet 100% nga buxheti i shtetit”, tha ai.
Elisjeda Kiko