Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku ka ankimuar vendimin për zgjatjen e afateve të hetimit të dosjes ndaj tij.
I shoqëruar nga avokati i tij, Maks Haxhia Tahiri hyri në gjykatë rreth orës 09: 50 dhe seanca që u mbajt me dyer të mbyllura u mbyll në orën 11: 30 me vendimin e shtyrjes së seancës për të hënën.
Përballë Tahirit ishin prokurorët Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arenc Çela, të cilët kërkuan që seanca të zhvillohej me dyer te mbyllura për shkak se çështja ka sekrete hetimore që nuk duhen publikuar.
Por nga ana e tij Tahiri në seancë deklaroi se ky proces nuk ka sekrete pasi prokurorët kanë trafikuar në media lajmet për dosjen dhe kërcënoi me publikimin e këtyre komunikimeve.
“Janë trafikuar lajme të cilat shyqyr i kam dhe me mesazhe nga prokuroria. Nuk shkon. Në çmimin tuaj është por ku është sekreti” u shpreh Tahiri brenda ne seance
Secili merr ate qe i takon- Seanca u shty për të hënën ku pritet që prokuroria ti vërë gjykatës në dispozicion disa akte. Pas daljes nga seanca, Tahiri e ka quajtuar absurd vendimin e shtyrjes disa herë të afateve por se do të presë pasi në fund secili merr atë që i takon.
Saimir Tahiri: Unë kam pritur dhe do vazhdoj të pres deri në fund edhe pse gjithcka ka ndodhur ka kapërcyer çdo limit kohor, sepse një gjëndje e tillë e pashpjegueshme dhe mjegullnaje nuk mund të vazhodojë më. Pavarësisht se hetimet janë zgjatur 5 herë hera e parë që unë kërkoj të mos ndodhë më. Ka kaluar cdo afat i arsyeshëm dhe duhet të marrë zgjidhje patjetër. Drejtësia e vonuar nuk është më drejtësi. Nëse ndodh me mua merreni me mend se çfarë dodh me mijëra të tjerë që bërtasin e nuk dëgjohen.
Nuk kishte asnjë sekret ma besoni, dhe ju keni aq shumë mesazhe në telefonat tuaj nga prokurorët sa nuk ka më sekrete në këtë institucion. Unë sigurisht i kam dhe mund ti bëj publike, por kjo nuk ka lidhje. Seanca u shty sepse gjykata kërkoi dokumente që prokurorët nuk i kishin dhe u la për të hënën, por çdo lloj gjëje që tashmë është kthyer 5 herë, një vit e disa muaj, ka humbur sensin. E zgjasin gjyqin sepse kam frikë se nuk dinë si ta mbyllin. Në këtë vend nuk kalon njeri pa marrë faturën që i takon”
Po a po mbahet peng?
Saimir Tahiri: Unë nuk mbahem peng nga askush. Kam respektuar drejtësinë. Peng nuk më mban njeri
Hetimet- Më 16 janar 2019 Prokuroria për Krimet e Rënda vendosi zgjatjen e afateve te hetimit edhe me 3 muaj deri më datën 17 prill 2019
Në pritje të Malit të Zi- Më 10 dhjetor 2018, është dërguar kërkesa për ndihmë juridike autoriteteve të Drejtësisë të Malit të Zi por akoma nuk janë administruar aktet në ekzekutimin e kësaj letërporosie.
Italia solli dokumentet- Ndërsa më 4 janar 2019 janë administruar në mënyrë të drejtëpërdrejtë aktet në ekzekutimin e letërporosisë dërguar autoriteteve italiane të Drejtësisë me datën 31 dhjetor 2018 dhe aktualisht po përkthehen në gjuhën shqipe.
“Meqënëse afati hetimor mbaron në datën 17 janar është e nevojshme zgjatja e afatit hetimor për 3 muaj për të realizuar edhe disa veprime të tjera hetimore: si administrimi i përgjigjes së kërkesës për ndihmë juridike dërguar në Republikën e Malit të Zi, përkthimi i akteve të administruara në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga autoritetet italiane të Drejtësisë si dhe kryerja e veprimeve hetimore të tjera që mund të dalin nga dinamika e hetimit” shkruhej në vendim e prokurorisë.