Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj BE-së e cila kritikoi miratimin e Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, deklarata e BE-së është dëshmi se ky institucion ka humbur rrugën ende pa dalë në oborr. Gjithashtu kreu i ekzekutivit kosovar ka dënuar me forcë deklaratën e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, e cila iu tha mediave serbe se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut mes të dyja vendeve.
Për Haradinajn, ky qëndrim i Koçijançiç cenon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.
“Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënësës së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papreçedent, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës. RH”, shkruan Haradinaj.