Protesta e studentëve ka pasur ditën e sotme një mbështetës më shumë, Albin Kurtin. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, teksa zhvilloi këtë të hënë një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Shkencave, u ka dhënë të drejtë për protestën, ndërsa shtoi se kauza e tyre është akoma më e drejtë kur mbështetet nga pedagogët.
Por pyetja që lind është, se çfarë e lidh Kurtin me protestën e studentëve në Shqipëri, cila është kauza e tij dhe kujt partie i shërben? Mos ndoshta kërkon ta zhvendosë revolucionin e tij nga Kosova në Shqipëri?!
Pse e mori rrugën nga Prishtina në Tiranë për të dalë në mbështetje të studentëve dhe pse duhet të përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë?
Një njeri, i cili me sjelljen e tij politike, karrieriste, anarshiste, qoftë në Kuvendin e Kosovës, por edhe jashtë, nuk i ka sjellë asgjë pozitive shtetit të tij dhe jo më Shqipërisë.
Është e qartë se zbarkimi i tij në kryeqytet, 10 ditë para protestës së 16 shkurtit, është një përpjekje për nxitjen e një “revolucioni” siç ndodhte vitet e fundit në Prishtinë, por që mbart pas saj një agjendë të fshehur politike me gjithë kërkesat e pafajshme që studentët kanë për uljen e tarifave.
Takimi i tij nuk duket të ketë një vijë të qartë interesimi mbi kushtet e studentëve, por një tentativë për të trazuar edhe më shumë ujërat në politikën e ngatërruar shqiptare, jo për të zgjidhur halle e probleme, por për të bërë politikë nën rrogoz me synime të qarta dhe në krah të opozitës.
Në fakt, dalja e tij në krah të forumeve politike të opozitës nuk duket të jetë një rastësi. Në verë, në kampin veror të Jalit, përfaqësues të Vetëvendosjes ishin të ftuar nga të rinjtë e LRI-së, ku mbajtën aktivitete të ndryshme.
Po ashtu, në fillim të janarit të këtij viti, lideri i VV-së, në një takim të panjoftuar për mediat, është takuar mbrëmjen e 8 janarit me presidentin Ilir Meta, ish-kreun e LSI-së.
Ai është bërë publik nga kreu i shtetit përmes një postimi në “Facebook”, por pa dhënë detaje nga takimi. “Kënaqësi e veçantë të prisja sot në mbrëmje në një takim të veçantë Liderin e Vetëvendosjes, z.Albin Kurti. Forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve tona në interes të përbashkët dhe të forcimit të perspektivës evropiane, jo vetëm të Shqipërisë e të Kosovës, por të gjithë rajonit tonë ishte temë kryesore”, – shkruante Meta para disa javësh.
Përdorimi i tij në politikën shqiptare, pak ditë para protestës së opozitës, mund të jetë edhe një përpjekje për trazira dhe destabilizim siç ka bërë dikur në Kosovë. Nëse mendon se pjesëmarrja e tij anarshiste, duke udhëhequr studentët shqiptarë drejt një revolucioni popullor, është një gabim i madh!
Ndërkohë, Pas këtij zhvillimi, reagimi i parë nga ana e qeverisë, nuk vjen nga kryeministri, por nga ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ajo e ka cilësuar si një zhgënjim praninë e tij në krah të studentëve dhe pedagogëve.
“S’i besova syve kur pashë Albin Kurtin sot brenda pengmarrjes së mjediseve universitare, pa ia dëgjuar ndonjëherë mendjen për ligjin e AL në Shqipëri!
Pa lidhje me vullnetet reale për tē përmirësuar pasojat e gjëmave që ka njohur bota universitare në 25 vite të shkuar e që nisëm t’i pastrojmë në 2015 së pari duke çrrënjosur qelqet e gjembat e Vitrinave bashkë me part-time-et që mbytën të papunët me diploma që s’i duhen kujt!
Po fare pa lidhje! Çfarë zhgënjimi i madh ta shohësh aq të tjetërsuar njeriun që ke vlerësuar”, shkruan ish-ministrja”, – shkruan Kumbaro.