Marrëdhëniet mes Qeverisë dhe Presidencës nuk po kalojnë ditë të qeta. Debati nisi që kur diskutohej drejtimi i Ministrisë së Brendshme, ndërsa doza e akuzave u shtua edhe kur në krye të Ministrisë së Jashtme u propozua një emër i ri në vend të Ditmir Bushatit. Por edhe pse qe dukur sikur “gjakrat” u qetësuan disi, Meta u hodh sërish në sulm dy ditë më parë. Të dielën ai kërkoi anulimin e projektit sepse sipas tij, është një aferë korruptive.
Por deputetët e Partisë Socialiste këtë sjellje të Metës nuk e shohin si të denjë për një president. Blerina Gjylameti u shpreh në rrjetet sociale se kreu i shtetit është pjesë e grupit të opozitës që nuk kërkon të shohë zhvillim në Shqipëri, por vetëm regres. Sipas saj, Meta po merret edhe me punët e drejtësisë. “Komenti mbi punët e drejtësisë nga Presidenca tregon daljen nga roli për të qenë mbi palët, duke bërë të qartë se Presidenti është me palën që do ta shikojë pa drita dhe rrugë, jo vetëm Unazën e Re dhe banorët e saj, por gjithë Shqipërinë. Ata që ankohen për Unazën e Re, janë zhurmues, nxitës të bllokimit, dhunës dhe rrëmujës. Por mbi të gjitha janë shkelës të Kushtetutës, militant që nga xhepat e cekët ju duket tesera e PD dhe LSI”, tha Gjylameti.
E ashpër në reagimin e saj për deklaratat e presidentit ishte edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Po në rrjetet sociale, ajo e akuzoi Metën se vepron njësoj si opozita. “Jo veç në mllef dhe në dëshirën për rrëmujë, po edhe në zëdhënie Presidenca është e ngjashme si pikat e ujit me simotrën PD dhe siguruan LSI! Po çarçafët e katranit me bojë i ka më të gjatë dhe padurimin për protestë më të dukshëm. Ah po, edhe dështimin e radhës njësoj do ta vuajnë”, u shpreh Spiropali.
Reagimet e tjera
Deputeti i PS, Andrea Marto deklaroi dje se presidenti me deklaratat për projektin e Unazës së Madhe po kërkon të marrë rolin e prokurorit. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Marto tha se nëse projekti në fjalë është korruptiv, atëherë duhet të veprojnë organet e drejtësisë dhe jo të hidhet në sulm presidenti. “Nëse një projekt publik është korruptiv, këtë e vendos drejtësia. Nuk i takon Presidentin të bëjë përcaktime të kësaj natyre”, theksoi Andrea Marto. Ndërsa për socialistin Sadri Abazi, Meta ngjason më shumë me kryetarin e opozitës, sesa me kreun e shtetit. “Presidenti si kryetar i opozitës, ka të drejtë të flasë.
Por si President i Republikës duhet të lexojë dhe zbatojë Kushtetutën. Ai po luan më së miri rolin e përfaqësuesit dhe kryetarit të opozitës. Të kryetarit kryesor të opozitës sepse kryetar tjetër nuk ka opozita, kështu që kanë presidentin”, u shpreh Abazi për gazetën. Njësoj si socialistët e tjerë, mendon edhe Bujar Çela. Në një reagim për gazetën “SOT”, Çela deklaroi se Ilir Meta është nën urdhrat e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe po tenton të marrë drejtimin e opozitës. “Presidenti nuk po sillet si president. Sali Berisha ka patur vetëm një djalë, Bashën, tani është bërë edhe me Metën. Meta do të marrë edhe liderin e opozitës sepse ai është në garë me Bashën se kush do të jetë kryeministri i vendit nëse një ditë në PS do të futet tenja”, tha Bujar Çela.
Mesa duket, si presidenti, ashtu edhe PD-LSI mbajnë të njëjtin qëndrim kur bëhet fjalë për qeverinë. Meta nuk kursen sulmet, duke e goditur kështu qeverinë në mënyrë institucionale, ndërsa opozita nga ana tjetër kërcënon me protesta. Pra, mund të themi se Meta dhe opozita janë në koherencë të plotë me njëri-tjetrin, duke marrë shkas edhe nga mbështetja që presidenti zotëron nga opozitarët. Për deputetët e PD-LSI, Ilir Meta është i vetmi që po respekton Kushtetutën, duke e marrë kështu në mbrojtje.
Mimoza Ibra