Struktura e Posaçme Antikorrupsion pritet të jetë gati për punë ditësh. Pjesë e kësaj strukture do të jenë edhe Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme e të dyja së bashku do të hetojnë dhe gjykojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivele të larta. Por teksa për Gjykatën e Posaçme kanë dorëzuar aplikimet e tyre 22 gjyqtarë të Krimeve të Rënda, për Prokurorinë e Posaçme vihet re një numër më i ulët kandidatësh.
Ditën e djeshme u regjistrua si kandidat edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Behar Dibra, duke e çuar kështu në 12 numrin e aplikantëve. Mirëpo në momentin që u hap thirrja për aplikime nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, u vendos që pjesë të SPAK do të ishin 15 prokurorë. Megjithatë burimet i thanë gazetës se edhe nëse ky numër nuk arrihet, atëherë plani është që Prokuroria Speciale fillimisht të funksionojë me 10 prokurorë, ndërsa më pas mund të pranohen aplikime të tjera. Një lëvizje e tillë do të ndërmerret duke u nisur nga fakti që data 7 shkurt është afati i fundit për prokurorët që të shfaqin interes për SPAK.
Por edhe pse nga ky afat na ndajnë vetëm dy ditë, deri tani numri 15 i kandidatëve nuk është plotësuar. Por me qëllim që ngritja e kësaj strukture të re të mos shtyhet më, atëherë Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka planifikuar që fillimisht puna e Prokurorisë së Posaçme të nisë edhe me më pak se 15 anëtarë. Në fakt, edhe në ligj është parashikuar që numri minimal i prokurorëve që SPAK duhet të ketë është 10, kështu që nuk e pengon më asgjë që kjo strukturë të marrë jetë. Edhe pse gjatë ditës së sotme dhe të nesërmen mund të regjistrohen të tjera aplikime nga prokurorët, sërish nuk është e sigurt që plotësohet numri 15 i anëtarëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion sepse nuk është thënë fjala e fundit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Kandidatët e deritanishëm nuk kanë kaluar në sitën e vetingut dhe mund të ndodhë që një pjesë e tyre edhe të shkarkohet. Pra, zgjidhja e vetme mbetet që puna e SPAK të nisë me numër minimal prokurorësh, duke tejçuar kështu edhe një mesazh për të gjithë ata skeptikë që mendonin se Struktura e Posaçme Antikorrupsion nuk do të ngrihej dot.
Kandidati i 12-të
Sikurse theksuam edhe më lartë, ditën e djeshme shfaqi interes për tu bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Behar Dibra? Por kush është Behar Dibra? Ai bënte pjesë tek grupi i prokurorëve që refuzuan shortin për të marrë në dorëzim dosjen e “Shullazit”. Dibra, së bashku me disa kolegë të tjerë, e cilësuan hedhjen e shortit nga ana e kryeprokurores Arta Marku të paligjshëm. Për këtë veprim, për Behar Dibrën nisi edhe hetim disiplinor. Nga ana tjetër, Behar Dibra ka qenë prokuror i çështjes për kosovarin Ahmet Ajeti, i cili u dënua për tentativën e vrasjes së Lul Berishës. Ndërkohë, i pari prokuror që dorëzoi kandidaturën për në SPAK ishte Klodian Braho.
Pas tij shfaqi interes edhe Besnik Muçi dhe Anton Martini. Nëse i hidhet një vëzhgim listës së aplikantëve të deritanishëm, bie në sy që pjesa më e madhe e kandidatëve vijnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke qenë se ata janë edhe prokurorët që kanë hetuar dosjet e nxehta. Dosjet e bujshme do të jenë çelësi i punës së SPAK.