Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e ish-gjyqtarit të lartë Artan Zeneli, i cili kishte apeluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura pasi gjykata e Vetting-ut do të shikojë në dhomë këshillimi kërkesën e gjyqtarit të cilit iu zbuluan probleme me pasuritë, por edhe papërshtatshmëri me detyrën, pasi i është refuzuar viza nga Ambasada Amerikane.
Trupi gjykues, i cili më herët ka vulosur vendime përjashtimi për gjyqtarë e prokurorë të pakonfirmuar, përbëhej nga ish-prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, ish-anëtarja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Albana Shtylla, kryetarja e Kolegjit të Posaçëm, Natasha Mulaj. Kryesoi trupën Rezarta Schuetz dhe relaton Ardian Hajdari, por nuk munguan sërish as vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së, të cilët po monitorojnë procesin.
Por, ky muaj do të jetë i ngjeshur për shkallën e dytë të Vetting-ut, pasi është njoftuar seancë edhe për ish-gjyqtarin tjetër të lartë Shkëlzen Selimi, gjithashtu i shkarkuar pasi ONM zbuloi lidhjet e tij me krimin. Ndërsa javën tjetër KPA-ja do të trajtojë edhe ankesën e ish-gjyqtarit kushtetues Gani Dizdari.
Që prej nisjes së skanimit, Kolegji i Posaçëm i ka lënë në fuqi vendimet e shkarkimeve për 8 subjekte duke konfirmuar çdo gjetje të KPK-së. Në këtë mënyrë janë përjashtuar përfundimisht Besim Trezhnjeva, Besa Nikëhasani, Luan Kaloçi, Tom Ndreca, ish-gjyqtarët kushtetues Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj, Fatos Lulo. Ajo që kuptohet nga këto vendime është se shkalla e dytë e Vetting-ut është e patundur në gjetjet e komisionerëve të kualifikimit dhe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që zbuluan skandale në drejtësi që nga pasuritë e pajustifikuara e deri tek implikimi i gjyqtarëve me komponentë të krimit të organizuar.
Probleme të theksuara i dolën edhe Artan Zenelit jo vetëm për disa apartamente, por edhe për mënyrën se si ai kishte blerë një vilë në një zonë rezidenciale. Më herët, emri i Artan Zenelit doli në listën e zezë të Ambasadës Amerikane si një ndër gjyqtarët që i ishte refuzuar viza, një fakt për të cilin ju kërkua llogari dhe gjatë Vetting-ut.