Investiguesit privatë kanë gjetur mbetjet e aeroplanit me të cilin po udhëtonte futbollisti i humbur i Premier League, Emiliano Sala.
Një varkë, e cila ishte vënë në kërkim të aeroplanit, e ka gjetur mjetin fluturues në shtratin e detit këtë mëngjes.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se tashmë janë informuar edhe familjarët për lajmet aspak të mira, ndërkohë që ata prisnin akoma me shpresë se Emiliano mund të ishte gjallë.
Si Sala ashtu edhe piloti i tij, David Ibbotson vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur ndërsa mendohet se të dy mund të jenë të vdekur.
Avioni Piper u zhduk nga radarët ndërkohë që lojtari argjentinas dhe piloti i tij po udhëtonin afër Ishujve Channel më 21 janar.